FSHF mbështet kandidaturën “Tirana 2021” për Kampionatin Europian të Futbollit Universitar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një takim zyrtar me delegacionin e Federatës Europiane të Sportit Universitar, e përfaqësuar nga Presidenti Adam Roczek, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universtar, z. Besnik Veliu dhe Presidentin e Federatës së Sportit Universitar të Kosovës z. Musa Selimi.
Duke falenderuar FSHF-në për këtë pritje, zoti Rozcek shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në Tiranë për të folur dhe lobuar mbi organizimin e Kampionatit Europian të Futbollit Universitar, ku FSHSU ka hedhur kandidaturën për të mikpritur këtë kompeticion në Tiranë në vitin 2021. Z. Roczek vlerësoi shumë arritjet e futbollit shqiptar në vitet e fundit dhe u shpreh i lumtur që sot lëvizja futbollistike shqiptare është duke njohur suksese të mëdha.
Presidenti Duka shprehu të gjithë gatishmërinë e FSHF për të ndihmuar Federatën Shqiptare të Sportit Universitar në këtë garë të rëndësishme, duke ofruar të gjithë suportin organizativ dhe infrastrukturor në mënyrë që Tirana të fitojë të drejtën për të pritur këtë kompeticion prestigjoz. “FSHF do të jetë gjithmonë në krah të risive, ne jemi shumë të lumtur për vizitën tuaj në Tiranë, duhet të falenderoj dhe drejtuesit e FSHSU për iniciativën e ndërmarrë për të sjellë në Shqipëri këtë kompeticion. Politikat e FSHF janë të orientuara drejt masivizimit, drejt përfshirjes së të gjithë të rinjve në këtë lojë magjike për ti afruar gjithmonë e më shumë me futbollin dhe për ti mbajtur larg problemeve sociale. Ne së shpejti do të konkretizojmë me FSHSU marrëveshjen për të organizuar nga viti 2019 Kampionatin Kombëtar të Futbollit Universitar”, theksoi Presidenti Duka.
Kampionati Europian i Futbollit Universitar është një kompeticion që do të sillte në Tiranë 500 sportistë, në një total prej 36 skuadrash, nga të cilat 24 ekipe meshkujsh dhe 12 ekipe femrash.