FSHF lançon programin ‘Internship’. Ftohen studentët të bëhen pjesë e botës së bukur të futbollit - FSHF

FSHF lançon programin ‘Internship’. Ftohen studentët të bëhen pjesë e botës së bukur të futbollit

Federata Shqiptare e Futbollit ka hapur zyrtarisht programin e internshipit, për punë praktike për tre (3) muaj në institucionin e futbollit në vendin tonë. Përkatësisht, praktika në punë do të ofrohet në të gjitha Departamentet e këtij institucioni, teksa ndërtimi i një programi të tillë vjen më kuadër të implementimit të mëtejshëm të reformave në futbollin shqiptar.

Në këtë program mund të marrin pjesë të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e studimeve Bachelor ose Master dhe mund të kryejnë praktikën në administratën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sara Masha, specialist e Burimeve Njerëzore pranë Federatës së Futbollit shpjegon se cilat janë përfitimet që marrin të gjithë studentët që bëhen pjesë e këtij programi, ndërsa shpjegon se aplikimi mund të bëhet online në adresën e e-mail-it: internship@fshf.al. Sakaq, të gjithë pjesëmarrësit në këtë program do të pajisen në fund edhe me një letër reference nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të rritjes së mëtejshme me objektiv zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit në Shqipëri ka ndërtuar një program për përfshirjen e të rinjve, duke i ofruar mundësi internship-i pranë ambienteve të saj.  Ky program internship-i ka për synim t’u ofrojë mundësi të rinjve, të cilët sapo kanë përfunduar ciklin e studimeve të larta (Bachelor dhe Master), për të përjetuar një eksperiencë të re që iu fal kjo botë e bukur e futbollit.

Sigurisht që të gjithë ata do të aplikojnë dhe do të bëhen pjesë e këtij programi do të kenë një sërë benefitesh, që nga pjesëmarrja në trajnimet e brendshme, te bashkëpunimi me ekspertët më të mirë të fushave specifike (PR, HR, Marketing, etj), si edhe mundësi rritjeje profesionale.

Aplikimi mund të bëhet fare thjesht. Të gjithë studentët e interesuar mund të dërgojnë CV-në dhe diplomën e tyre në adresën e e-mail-it: internship@fshf.al. Dhe në fund, duke vlerësuar performancën e gjithësecilit prej tyre dhe përkushtimin, pjesëmarrësit do të pajisen me një letër reference nga Federata Shqiptare e Futbollit” – shpjegon Sara Masha për fshf.org.