FSHF, kurs formimi për fizioterapistët shqiptarë. Nisin regjistrimet! - FSHF

FSHF, kurs formimi për fizioterapistët shqiptarë. Nisin regjistrimet!

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në datat 25-28 janar kursin e formimit të fizioterapistëve “Human Tecar”. Ky kurs, që do të zhvillohet në ambientet e Federatës, do të ketë lektorë të fushës së mjekësisë sportive siç janë: drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina, Ilvi Begolli, i cili është fizioterapist pranë FSHF, Arzen Voci, fizioterapist i Kombëtares A të futbollit si dhe specialisti i Tecarterapia, Francesco Fassino. Kursi do të jetë i ndarë në dy pjesë: pjesë teorike dhe më pas do të vijojë me pjesën praktike.

Në pjesën teorike, fillimisht do të bëhet një hyrje dhe prezantim i kursit “Human Tecar”, dhe më pas do të vijohet me përdorimin e TECAR, përdorimin e modaliteteve “rezistiv dhe capacitiv”, anatominë muskulare dhe tendinat, fiziologjinë dhe biomekanikën e sportistit në futboll, fizpatologjinë e dëmtimeve mio-tendinoze, dëmtimet kryesore muskulare e tendinoze, trajtimin fizioterapeutik të dëmtimeve në sport, trajtimin me tecarterapi në bazë të modaliteteve rezistiv dhe capacitiv të dëmtimeve në sport.
Ndërsa pjesa praktike do të përfshijë ndarjen në pesë grupe prej pesë personash dhe vënien në praktikë të përdorimit të tecarterapisë, prova praktike në pjesë të ndryshme muskulare dhe në fund do të ketë edhe diskutime.

Kush mund të marrë pjesë – Kursi do të zhvillohet i ndarë në dy faza kohore. Në datat 25-26 janar, kursi do të jetë i hapur vetëm për fizioterapistët e ekipeve kombëtare (meshkuj, femra), Kategorisë Superiore dhe Kategorive më poshtë. Ndërsa në datat 27-28 janar, kursi do të jetë i hapur për të gjithë studentët, mjekët, fizioterapistët dhe për të gjithë ata që duan të dinë për aplikimin e Tecarterapisë. Numri maksimal i personave që mund të marrin pjesë është 20.
Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të pajisën me certifikatë nga FSHF dhe “Human Tecar Italia”.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033