Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar disa evente në vijim të mbështetjes dhe prioriteteve të saj, përpos garës dhe ekipeve kombëtare, por edhe në kuadër të shumë nismave që kanë patur dhe do të kenë gjithmonë suportin e FSHF-së. Që nga turneu “Coca-Cola” e deri tek grumbullimet e ekipeve kombëtare, përfshirë edhe nismat e promovimeve që i përkasin objektivave kryesorë të Federatës për këtë vit.
Të mërkurë dhe të enjte – Kategoria Superiore
Të mërkurën dhe të enjten datë 10 dhe 11 sipas planit dhe grafikut përkatës do të luhen ndeshjet e radhës të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku plan-programi i ndeshjeve është bërë tashmë publik.
Të enjten 11 maj ora 13.00 – Akademia e Arbitrimit
Turi i prezantimit të nismës së Akademisë së Arbitrimit vijon. Këtë të enjte trupa koordinuese e FSHF-së do të zbresë përpara studentëve të Universitetit “Marin Barleti” në Tiranë, në korpusin e studentëve në zonën e Selitës, për të prezantuar këtë nismë e cila deri tani numëron mbi 180 të rregjistruar nga qytete të ndryshme të vendit, ku dhe është bërë publike ky projekt që do të ketë suportin kryesor të FSHF-së, me një program të qartë e të detajuar. Java e ardhëshme do e çojë projektin në Universitetin e Vlorës, “Ismail Qemali”. Zyrtarë të lartë të FSHF-së dhe të Komitetit të Arbitrimit do të prezantojnë përpara këtij auditori edhe detajet e plota të një iniciative të tillë.
Të enjten, gjysmefinalet e kupës “Coca-Cola” në Kamzë
Një tjetër aktivitet që prej disa javësh po luhet në të gjithë Shqipërinë është edhe turneu “Coca-Cola”, i cili tashmë ka mbërritur në fazën çerekfinale të tyre dhe ku FSHF është mbështetëse kryesore. Shkolla të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe Korçës do të luajnë mes tyre këtë të enjte takimet gjysmëfinale të turneut dhe më pas me finalen e madhe të futbollit të shkollave që ka patur një frekuentim dhe pjesëmarrje përtej pritshmërive. FSHF ka gati një tjetër projekt edhe për futbollin e fëmijëve dhe shumë shpejt pritet të marrë OK në Komitetin Ekzekutiv.
Të premten 12 maj ora 12.00, aktiviteti në shkollën “Emin Duraku”
Në kuadër të prioriteteve të FSHF-së, dhe ndjesisë për futbollin e fëmijëve dhe afrimin e tyre sa më afër me këtë lojë, ditën e premte në orën 12.00 në fushën sportive të shkollës “Emin Duraku” në kryeqytet do të zhvillohet një takim me fëmijët e kësaj shkollë, si edhe të shkollës “Dora D’Istria”, ku figura të futbollit do të përcjellin përpara nxënësve opinionet për angazhimin e vetë fëmijëve për këtë sport. Më pas është planifikuar edhe një ndeshje miqësore mes skuadrës së shkollës “Emin Duraku” dhe asaj të shkollës “Dora D’istria”. Kjo nismë do të vijojë edhe me shkolla të tjera. Ish-futbollistë dhe futbollistë aktualë do të jenë aty për të përcjellë edhe mesazhet e tyre për të gjithë fëmijët që e luajnë dhe e kanë nisur tashmë këtë sport magjik.
Të premten 12 maj ndeshja e Kategorisë së Parë, Kamza-Besëlidhja.
Sikundër është planifikuar edhe më parë nga Sektori i Garave, ditën e premte në Kamzë në orën 14.00 do të luhet ndeshja mes Kamzës dhe Besëlidhjes ku dhe do të shpallet ekipi fitues për Kategorinë e Parë grupi A, dhe njëherësh fituesi që do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Të shtunën 13 maj, ora 11.00, Alban Bushi para mediave
Në vijim të programeve të ekipeve kombëtare, këtë radhë përpara mediave ditën e shtunë në orën 11,00 në sallën e Konferencave për shtyp në FSHF, trajneri i skuadrës kombëtare U-21 do të shpallë listën e lojtarëve të tij për grumbullimin e radhës, dhe pikat kryesore për këtë stejxh 3 ditor me skuadrën e tij. Pas Dedes të hënën, Alban Bushi do ti përgjigjet edhe interesit të gazetarëve për ekipin kombëtar U-21.
Të djelën 14 maj, garat e kampionateve
Të djelën do të luhen edhe takimet e radhës të Kategorisë së Parë, Grupi B, por edhe takimet finale të Kategorisë së dytë për të dy grupet, sipas këtij programi:
Diten e Djele dt 14.05.2017 ora 16:00
Ne Lushnje – Lushnja – Bylis
Diten e djele dt 14.05.2017 ora 16:00 – Kategoria 2-të, Grupi A
Ne Rrogozhine – Egnatia – Ada
Diten e Djele dt 14.05.2017 ora 17:00 – Kategoria 2-të, Grupi B
Ne Orikum – Orikumi-Naftëtari

















