FSHF dhe sponsorët e Kombetares mbështesin femijet jetime - FSHF

FSHF dhe sponsorët e Kombetares mbështesin femijet jetime

Fëmijet jetimë, tani me skuadër futbolli

Shtëpija e fëmijës “Zyber Hallulli”, tashmë do të ketë skuadrën e saj e cila do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare rajonale të moshave, te organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në një ceremoni,  të zhvilluar sot në ambientet e shkollës “Osman Myderizi” në Tiranë, është konfirmuar krijimi i kësaj skuadre. Kjo nismë e FSHF, e mbështetur edhe nga sponsorët e saj, ka për qëllim, përfshirjen e fëmijëve të këtij komuniteti, në aktivitetet futbollistike që organizohen për të gjitha moshat.

FSHF ka ndërtuar një projekt, nëpërmjet të cilit, krijohen mundësitë për të ingranuar në të gjitha aktivitetet rajonale që organizon FSHF. Ajo merr përsipër që të mështesë me bazë materiale, me kuadrin trajner dhe detyrimet e tjera financiare (pagesat për kontroll mjekësor dhe rregjistrim), të gjithë aktivitetin e kësaj skuadre të re.

E mbështetur nga sponsorët zyrtarë, Kompania Celulare Plus, Digitalb Albania dhe Uji Tepelena, kjo nismë ka sjellë tek skuadra e fëmijëve të shkollës “Zyber Hallulli”, shumë dhurata dhe njëkohësisht edhe premtimin për mbështetje të vazhdueshme.

Duke falenderuar për mbështetjen në këtë projekt, Sekretari i Përgjitshëm i FSHF Eduard Prodani, theksoi se bashkëpunimi me sponsorët e Federatës Shqiptare të Futbollit, është një nga mundësitë më të mira për të realizuar projekte të tilla. “Ne jemi këtu, jo vetëm si FSHF por të mbështetur edhe nga sponsorët tanë, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten, partnerë të fuqishëm dhe të sigurtë për të gjitha projektet tona”- theksoi ai.

Gjatë ceremonisë, në të cilën të gjithë anëtarët e skuadrës së Shtëpisë së Fëmijës , u pajisën me të gjithë bazën e nevojshme materiale, përshëndetën edhe kapiteni skuadrës, trajneri i saj, si edhe dy drejtueset e shtëpisë së Fëmijës “Zyber Halluli” dhe shkollës “Osman Myderizi”. Pas përfundimit të ceremonisë, bashkë me premtimet për mbështetjen e kësaj skuadre, u konfirmua edhe një plan konkret për vazhdimësinë e aktivitetit të saj.