FSHF dhe Liga, një minutë heshtje në nderim të Maradonës para çdo ndeshjeje të kampionatit - FSHF

FSHF dhe Liga, një minutë heshtje në nderim të Maradonës para çdo ndeshjeje të kampionatit

Federata Shqiptare e Futbollit është solidarizuar me të gjithë botën e futbollit duke shprehur dhimbjen për humbjen e legjendës botërore të futbollit, Diego Armando Maradonës, i cili u nda nga jeta të mërkurën e 25 nëntorit në Argjentinë.

Federata e Futbollit për nder të ish-kampionit të botës sëbashku me Ligën Profesioniste të Futbollit vendosën që në javën e pestë të Kategorisë Superiore të mbahej një minutë heshtje para çdo ndeshjeje në respekt të Maradonës.

Solidarizimin me këtë humbje të madhe për komunitetin e futbollit dhe familjen e Maradonës e ka shprehur edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në profilin e tij në rrjetin social Facebook, do të shkruante: “Futbolli humbi një mbret! Diego Armando Maradona është ndarë nga jeta duke lënë një boshllëk të madh dhe të pazëvendësueshëm në botën e madhe të futbollit. Qoftë i parajsës, sepse ç’ka lënë është miliona herë më e madhe se vitet e jetës…
Është pavdekësia!”