FSHF dhe Federata norvegjese fillojnë kurset për trajnere të futbollit të femrave - FSHF

FSHF dhe Federata norvegjese fillojnë kurset për trajnere të futbollit të femrave

Futbolli femrave është prioriteti i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe në këtë kuadër po punohet shumë për edukimin dhe kualifikimin e trajnereve femra të cilat do të trajnojnë vajzat e vogla që i bashkohen çdo ditë e më shumë futbollit në Shqipëri.

FSHF sëbashku me Federatën Norvegjese të Futbollit organizojnë kursin e dytë me 20 trajnere femra, kurs ky që financohet nga projekti që ka nisur qeveria norvegjeze për rritjen e numrit të femrave që angazhohen me futboll në rajonin e Ballkanit. Kursi ka për qëllim që trajneret e dala nga ky proces të jenë edhe Ambasadore të futbollit në zonat nga vijnë, duke ndërtuar skuadra të futbollit të femrave dhe të afrojnë të rejat me sportin më të dashur për shqiptarët. Kursi 4 ditor parashikon orë teorike nga lektorët norvegjez dhe orë praktike me fëmijë nga skuadrat e Zyrës Rajone të Durrësit.

Në fund të kursit të gjithë vajzat pjesëmarrëse do të marrin Certifikatë trajnimi bazuar në Licensën C sipas standarteve norvegjese, si dhe do të marrin dhuratë të gjithë bazën materiale të nevojshme për të stërvitur një skuadër të rinjsh.