Federata Shqiptare e Futbollit dhe Credins Bank hodhën një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit të tyre strategjik, përmes prezantimit zyrtar të kartës së parapaguar “GOOL”, një produkt inovativ i krijuar për të afruar edhe më shumë tifozët kuqezi me Kombëtaren shqiptare.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e selisë qendrore të Credins Bank, me pjesëmarrjen e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtorit të Përgjithshëm të Credins Bank, Maltin Korkuti, Zëvendësdrejtores së Përgjithshme, Monika Milo, si edhe përfaqësuesve të tjerë të dy institucioneve dhe partnerëve të projektit.
Gjatë takimit u vlerësua ecuria e bashkëpunimit mes FSHF-së dhe Credins Bank, një partneritet që prej vitit 2024 ka mbështetur futbollin shqiptar dhe ka sjellë iniciativa të përbashkëta në shërbim të tifozëve dhe komunitetit sportiv. Të dyja palët riafirmuan angazhimin për të vijuar zhvillimin e projekteve që ndërthurin pasionin për futbollin me eksperiencat moderne të ofruara nga sektori financiar.
Momenti kulmor i ceremonisë ishte prezantimi i kartës “GOOL”, e konceptuar si një kartë e dedikuar për tifozët shqiptarë. Përmes saj, përdoruesit do të kenë mundësi të përfitojnë nga oferta, surpriza dhe benefite ekskluzive të lidhura me aktivitetet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Kombëtaren kuqezi.
Në fjalën e tij, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi rëndësinë e partneritetit me Credins Bank dhe vlerën që ai sjell për zhvillimin e futbollit shqiptar.
“Credins Bank është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. Bashkëpunimi ynë ka sjellë vlera konkrete dhe ka krijuar mundësi të reja për të afruar tifozët me Kombëtaren. Karta ‘GOOL’ është një produkt inovativ që shkon përtej funksionalitetit financiar, duke u kthyer në një simbol të identitetit, pasionit dhe krenarisë kuqezi. Jam i bindur se tifozët tanë do ta mirëpresin këtë iniciativë dhe do të përfitojnë nga eksperiencat e dedikuara që ajo ofron”, – u shpreh Presidenti Duka.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Credins Bank, Maltin Korkuti, nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të produkteve që krijojnë vlerë të shtuar për klientët dhe forcojnë partneritetet afatgjata.
“Partneritetin me Federatën Shqiptare të Futbollit e kemi konsideruar gjithmonë si një bashkëpunim të rëndësishëm institucional. Karta ‘GOOL’ është rezultat i këtij vizioni të përbashkët dhe synon të krijojë një eksperiencë të re për klientët tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me emocionet e futbollit dhe me shërbimet moderne bankare”, – deklaroi Korkuti.
Ndërsa Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Credins Bank, Monika Milo, vlerësoi partneritetin si një model bashkëpunimi të suksesshëm, të ndërtuar mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta.
“Ky bashkëpunim shkon përtej dimensionit të biznesit. Ai ka në qendër komunitetin dhe synon të krijojë vlera sociale, sportive dhe kulturore përmes aktiviteteve, eventeve dhe produkteve të dedikuara. Ne do të vijojmë të mbështesim iniciativa që sjellin përfitime reale për klientët dhe për sportin shqiptar”, – tha Milo.
Lançimi i kartës “GOOL” përfaqëson një etapë të re në bashkëpunimin mes FSHF-së dhe Credins Bank, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për të zhvilluar iniciativa që promovojnë futbollin shqiptar, shpërblejnë tifozët dhe krijojnë vlerë të qëndrueshme për komunitetin.
Përgjatë ceremonisë u vu gjithashtu në pah rrugëtimi i suksesshëm i Kombëtares shqiptare në vitet e fundit dhe rëndësia e partneriteteve strategjike në mbështetje të zhvillimit të futbollit në vend, me synimin për të çuar gjithmonë e më lart ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare.

















