Flamurtari shpallet kampion i Kategorisë së Dytë - FSHF

Flamurtari shpallet kampion i Kategorisë së Dytë

Flamurtari është ekipi kampion i Kategorisë së Dytë për edicionin 2021-2022 pasi mposhti me penallti 4-2 fituesin e grupit A, Luzi 2008, në finalen e madhe të zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me barazimin 1-1, ku vlonjatët kaluan fillimisht në avantazh me Pjeshkën në minutën e 48, ndërsa Luzi barazoi me Gjinaj në minutën e 79-të.

Pas mbylljes së kohës së rregullt, skuadrat luajtën 30 minutat e shtesës, por që nuk mjaftuan për të përcaktuar fituesin, duke iu drejtuar më pas penalltive, ku vlonjatët u treguan më të saktë, duke u shpallur kështu kampionë të Kategorisë së Dytë.

Pas përfundimit të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e shpalljes së Flamurtarit si kampion i kësaj Kategorie. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zv.presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj i cili i dorëzoi medaljet dhe trofeun e kampionit ekipit vlonjat.

Luzi 2008 dhe Flamurtari siguruan ngjitjen direkt në Kategorinë e Parë pasi u shpallën fitues të grupeve A dhe B në Kategorinë e Dytë.