Elbasani ka siguruar fitoren e parë në fazën “Final 4” të kampionatit “Abissnet Superiore”, duke triumfuar me rezultatin bindës 3-0 ndaj Dinamo City në stadiumin “Air Albania”. Një paraqitje shumë e mirë e skuadrës elbasanase në pjesën e parë vulosi fatin e këtij takimi.
Elbasani dominoi plotësisht fraksionin e parë, duke shfrytëzuar edhe superioritetin numerik pas kartonit të kuq të Gudiabit. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 25-të, kur Tsague finalizoi me kokë një top të ardhur nga Loukili. Vetëm dy minuta më vonë, Tsague përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Dinamo City-t për të realizuar edhe golin e dytë personal në këtë sfidë.
Skuadra elbasanase vijoi presionin dhe në minutën e 38-të ishte Diallo ai që vulosi shifrat 3-0, duke mbyllur një pjesë të parë perfekte për verdheblutë.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës ishte më i qetë, me Elbasanin që administroi avantazhin dhe ruajti rezultatin deri në vërshëllimën finale.
Falë kësaj fitoreje, Elbasani ngjitet në kuotën e 34 pikëve, po aq sa Egnatia kryesuese. Vllaznia renditet në vendin e tretë me 31 pikë, ndërsa Dinamo City mbetet në vendin e katërt me 27 pikë, duke e bërë edhe më të fortë garën në fazën “Final 4”.


















