Egnatia ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit në fazën “Final 4”, teksa mundi Vllazninë me rezultatin 2-1 në sfidën e zhvilluar sot në stadiumin “Air Albania”. Një përballje e luftuar deri në fund, me ritëm të lartë, duele të forta dhe emocione që mbetën të hapura deri në minutat e fundit.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të rrogozhinasve, pas një 45-minutëshi intensiv ku të dyja skuadrat u shfaqën agresive, ndërsa arbitri u detyrua të nxirrte 5 kartonë të verdhë. Golin e avantazhit për Egnatian e realizoi Eljon Sota, i cili shfrytëzoi në maksimum një krosim të Kryeziut dhe me goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Egnatia iu afrua edhe golit të dytë, por pa arritur të dyfishojë rezultatin.
Edhe pjesa e dytë nisi me raste për skuadrën e Egnatias, me Bakajokon që shpërdoroi një mundësi të artë përballë portës së Pohls. Kur dukej se rrogozhinasit po kontrollonin sfidën, Vllaznia reagoi në minutën e 77-të. Pas një shtylle të goditur fillimisht nga Murataj, ishte Qato ai që shfrytëzoi topin e kthyer për të barazuar rezultatin dhe për të rihapur plotësisht ndeshjen.
Megjithatë, fjala e fundit i takoi Egnatias. Në minutën e 88-të, Adjesa realizoi golin e fitores, duke vulosur suksesin 2-1 të skuadrës rrogozhinase, që merr kështu tre pikë shumë të rëndësishme dhe ngjitet në krye të renditjes me 34 pikë. Në vendin e dytë renditet Elbasani me 31 pikë (1 ndeshje më pak). Po kaq ka edhe Vllaznia e vendit të tretë, ndërsa Dinamo City ka 27 pikë (1 ndeshje më pak).
Ndërkohë, nesër në stadiumin “Air Albania” do të luhet edhe sfida tjetër e kësaj faze mes Elbasanit dhe Dinamo City-t, e programuar për në orën 19:00.


















