FIFA nis procesin e akreditimit të medias për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub - FSHF

FIFA nis procesin e akreditimit të medias për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub

FIFA ka njoftuar zyrtarisht se procesi i akreditimit të mediave për Botërorin FIFA 2026 do të menaxhohet ekskluzivisht përmes platformës online “FIFA Media Hub”. Në njoftimin e FIFA-s bëhet me dije se interesi i mediave pritet të jetë shumë i lartë, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e akreditimeve të disponueshme. Për këtë arsye, procesi do të jetë transparent dhe i drejtë për përzgjedhjen.

Aplikimet për akreditim janë hapur në fillim të janarit 2026, ndërsa afati i fundit për aplikim është 28 shkurt 2026. Pas muajit shkurt, FIFA do të nisë konfirmimet e akreditimeve dhe informacionet shtesë për mediat e përzgjedhura.

Gazetarët dhe fotografët që duan të aplikojnë duhet të kenë një llogari të miratuar në FIFA Media Hub dhe një kod unik kontrolli të lëshuar nga federata kombëtare përkatëse, ndërkohë që pajisja me kod nuk garanton miratimin e akreditimit, pasi FIFA rezervon të drejtën e verifikimit dhe refuzimit të aplikimeve.

Çdo federatë anëtare do të ketë një kuotë të caktuar akreditimesh, e cila bazohet në pjesëmarrjen në edicionet e mëparshme të Kupës së Botës dhe në statusin e kualifikimit të ekipit kombëtar për këtë edicion.

Kategoritë e mediave që mund të aplikojnë përfshijnë shtypin e shkruar (print dhe digjital), fotografët, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe fotografisë, gazetarët freelance, mediat radio-televizive pa të drejta transmetimi dhe partnerët mediatikë të FIFA-s.

Procesi i aplikimit për bileta për ndeshjet e fazës së grupeve do të nisë pas hapjes së akreditimeve dhe do të kryhet vetëm përmes FIFA Media Hub. Çdo përfaqësues i akredituar mund të aplikojë për maksimum një ndeshje në ditë, në varësi të disponueshmërisë.

Pas konfirmimit të akreditimit, FIFA do të ofrojë udhëzime të detajuara për procedurat e vizave, ndërsa federatat inkurajohen të shpërndajnë kuotat sa më herët për të mundësuar organizimin e udhëtimit.


Duke kontrolluar karten...