Femrat / Shqipëria fiton ndaj Maqedonisë së Veriut - FSHF

Femrat / Shqipëria fiton ndaj Maqedonisë së Veriut

Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave, e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Maqedonisë së Veriut në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar ditën e sotme në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit.

Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-1. Fqinjet maqedonase kanë kaluar të parat në avantazh me anë të Maksutit, në minutën e 12-të, në të vetmen mundësi të krijuar gjatë të gjithë ndeshjes. Reagimi i vajzave të Sinanit ka qenë i menjëhershëm, duke krijuar raste të shumta shënimi dhe duke dominuar në lojë. Rastet e krijuara u konkretizuan me gol në minutën e 36-të me anë të Gjinit. Me këtë gol u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë, vajzat tona janë të vendosura për të arritur te fitorja dhe shënojnë dy herë brenda katër minutave, me Megi Doçin në minutën e 76-të dhe Bajraktarin në minutën e 80-të. Rezultati 3-1 nuk ndryshon deri në fund, pavarsisht disa mundësive të tjera për shënim nga skuadra e Sinanit. Pas tre ditëve, në datë 16 Qershor, në stadiumin e Ohrit do të zhvillohet dhe miqësorja e dytë, duke filluar nga ora 17:00.

Shqipëria e femrave zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Rexhepi, Bajraktari, Maliqi, Gjini, Mustafa, Rrahmani, Hila, Franja, Krasniqi, Doçi, Lufo.