Fëmijët e projektit “Playmakers” zbresin edhe në stadiumin “Air Albania” - FSHF

Fëmijët e projektit “Playmakers” zbresin edhe në stadiumin “Air Albania”

Në kuadër të projektit “Playmakers”, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim UEFA-n dhe kompaninë e famshme “Disney”, një grup fëmijësh që frekuentojnë kopshtet e kryeqytetit kanë vizituar sot ambientet e stadiumit “Air Albania”.

Fëmijët, të shoqëruar nga stafi i FSHF-së dhe instruktorët e këtij projekti, janë argëtuar duke luajtur futboll në stadium, duke përdorur imagjinatën e frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney.

Projekti në fjalë synon të mësuarit e aftësive në futboll si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

Ky projekt, që po shtrihet në të gjithë Shqipërinë, ka si synim kryesor të zhvillojë e masivizojë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave të moshës 5-8 vjeç, që nuk kanë luajtur futboll më parë. Vajzat kanë shumë arsye për të luajtur futboll, duke përfshirë argëtimin, miqësinë, të mësuarit e gjërave të reja dhe familjen.

Zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një nga prioritetet kryesor të Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka nisur ndërkohë edhe projekte të tjera.

Përtej argëtimit në fushën e blertë, fëmijët kanë bërë edhe një tur të stadiumit, ku janë njohur me të gjitha ambientet dhe se si funksionon impianti më i madh i futbollit në Shqipëri.