Një ndër praktikat tashmë të konsoliduara të Uefa-s është edhe workshop-i i përvitshëm mbi marketingun, i zhvilluar këtë vit në Lisbonë në datat 27 dhe 28 Nëntor në kuadrin e “Shkëmbimit të dijes dhe informacionit” (Knowledge Information Sharing Scenario), ku marrin pjesë të gjitha federatat anëtare të Uefa-s.
Momenti kulminant i këtij workshop-i dyditor ka qenë ceremonia e ndarjes së çmimeve mbi punën e bërë nga federatat në drejtime të ndryshme të fushës së marketingut.
Çmimet për këtë vit ishin të fokusuara mbi tematikat e ndërtimit të Brand-it, marrëdhënia me sponsorët, marketingu dixhital, promovimi i futbollit, kërkime marketingu, merchandizing, etj.
Kategoritë e çmimeve këtë vit ishin pesë: Digital Fan Engagement Campaign; Fan Experiential Promotion; Sponsorship Activation; Brand Strategy and Implementation dhe Grassroots Marketing Campaign.
Federata Shqiptare e Futbollit mori çmimin “Kreativitet dhe Inovacion” në kategorinë “Best Brand Implementation Strategy”.
“Ky çmim iu dha Federatës sonë në lidhje me punën e bërë për ripozicionimin e brandit të futbollit shqiptar i cili u realizua në fund të vitit të kaluar. Publiku ka njohur vetëm një pjesë të këtij projekti pasi kjo strategji përmban në vijim edhe krijimin e markave të reja të Kampionatit Shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë, për të cilat jemi ende duke punuar, por presim të konkludojmë edhe këtu dy produkte cilësore që për më tepër do të lançohen për herë të parë në tregun Shqiptar. Marketingu është një fushë shumë e gjerë që kërkon burime të mëdha financiare, humane dhe know-how, por mendoj se në kushtet tona jemi duke bërë një punë të mirë. Kemi aktivizuar shërbime të reja për publikun, si psh. shitja online e artikujve zyrtarë të Kombëtares dhe kjo linjë së shpejti do të pasurohet me një gamë të gjerë artikujsh. Gjithashtu, surpriza të reja do të kemi sërish për vitin 2015, të cilat besojmë dhe shpresojmë se publiku ynë do t’i vlerësojë – referon Drejtori i Marketingut të FSHF-së, Gazmend Malo, i cili ka marrë pjesë në këtë workshop sëbashku me specialistin e Digital Marketing-ut, Erdis Çepele .

















