Europiani U-17 për vajza/ Shqipëria mposhtet nga Luksemburgu në ‘Air Albania’ - FSHF

Europiani U-17 për vajza/ Shqipëria mposhtet nga Luksemburgu në ‘Air Albania’

Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi këtë të mërkurë sfidën e parë kundër përfaqësueses së Luksemburgut, e vlefshme për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Agustin Kola u mposhtën me rezultatin 2-0 nga Luksemburgu në takimin e zhvilluar mesditën e sotme në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ në Tiranë.

Trajneri Kola e nisi ndeshjen me këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Laura Bari, Klevisa Ndoci, Angela Nika, Rosela Vasa (C), Bora Bushati, Tiana Gjonaj, Klesta Ago, Klea Allushi, Gelda Kadiolli, Ornela Brahaj.

Minutat e para të lojës ishin të balancuara me ekipin shqiptar që iu afrua në disa raste golit, por pa sukses. Në minutën e 13-të, sulmuesja Gwendy Merlevede përfiton mjaft mirë, teksa i rrëmben një top Ndocit e nis menjëherë një kundërsulm të shpejtë, duke realizuar edhe golin e avantazhit për ekipin mik. 1-0 për Luksemburgun. Pavarësisht epërsisë, vajzat kuqezi nuk dorëzohen por rreshtohen më mirë në fushë dhe tentojnë sërish disa herë portën kundërshtare. Në minutën shtesë të pjesës së parë, gjyqtarja norvegjeze akordon një penallti në favor të Luksemburgut, që dyfishon shifrat me numrin 11-të, Olivia Konsbruck.

Në pjesën e dytë, trajneri Kola vendos të bëjë një zëvendësim. Laura Bari lë fushën dhe në vend të saj, trajneri kuqezi vendos të hedhë në lojë Leoselda Stalaj. Në minutën e 55-të, Luksemburgu realizon edhe golin e tretë sërish me sulmuesen Gwendy Merlevede, e cila përfiton nga një gabim i vajzave tona. Tekniku shqiptar vendos të bëjë edhe një tjetër zëvendësim në skuadrën kuqezi, me Gelda Kadiollin e cila lë lojën dhe në vend të saj hyn në fushë Herta Hasa. Pavarësisht tentativave të futbollisteve kuqezi, rezultati i përgjithshëm i ndeshjes mbyllet me shifrat 3-0 në favor të Luksemburgut.

Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë U-17 në këtë raund të dytë të Kampionatit Europian. Ndeshja tjetër e Kombëtares shqiptare do të jetë ajo ndaj Islandës më 21 mars në orën 11:30 në stadiumin ‘Air Albania’. Sakaq, më 18 mars, do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e grupit B4, mes Luksemburgt dhe Islandës, në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 11:30.