Europiani U-17 për djem/ Shqipëria, gati për Suedinë! Ka ndryshime edhe në listë - FSHF

Europiani U-17 për djem/ Shqipëria, gati për Suedinë! Ka ndryshime edhe në listë

Kombëtarja shqiptare U-17 për djem ka mbërritur në Kroaci paraditen e së martës, ku do të zhvillojë ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 për këtë grupmoshë.

Shqipëria është shortuar në grupin 7 së bashku me Kroacinë, Uellsin dhe Suedinë dhe të treja ndeshjet do të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku zhvilluan pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore në fushën kroate, në prag të sfidës së parë eliminatore ndaj Suedisë, që do të zhvillohet nesër, në ora 11:00.

Departamenti i Komunikimit në FSHF njofton se Albi Koleci dhe Kevin Lekaj nuk kanë udhëtuar me ekipin për arsye dëmtimi. Ndërkaq, pjesa tjetër e grupi është në gjendje shumë të mirë fizike, me teknikun Bulku që do të ketë në dispozicion të tij të gjithë futbollistët e grumbulluar për të përfaqësuar Shqipërinë në këto kualifikuese.

Ekipi ka nisur përgatitjet që prej 12 tetorit në Shqipëri, teksa dje dhe sot i ka zhvilluar seancat stërvitore në Kroaci. Pas ndeshjes me Suedinë nesër, kuqezinjtë do të përballen me vendasit më 23 tetor në ora 13:00, ndërsa sfida e fundit do të jetë ajo ndaj Uellsit më 26 tetor, po në ora 13:00.