Europiani i femrave U-17/ Shqipëria mirëpret ndeshjet e raundit të dytë të grupit B - FSHF

Europiani i femrave U-17/ Shqipëria mirëpret ndeshjet e raundit të dytë të grupit B

Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të presë një aktivitet të rëndësishëm europian, i pari për këtë vit, që do të pasohet nga aktivitete të tjera të mëdha në vendin tonë. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve të raundit të dytë të kampionatit europian për ekipin kombëtar të femrave U-17.

Shqipëria e drejtuar nga trajneri Agustin Kola është shortuar në të njëjtin grup me Skocinë, Azerbajxhanin dhe Maqedoninë e Veriut. Të gjitha ndeshjet e grupit B3 do të zhvillohen në vendin tonë në datat 8, 11 dhe 14 mars.

Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Azerbajxhanit më 8 mars, duke nisur nga ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan. Vajzat kuqezi do të luajnë tre ditë më vonë ndaj Skocisë në po të njëjtën orë në Elbasan, teksa ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut më 14 mars në ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Shqipëria është sërish pjesë e Ligës B dhe do të tentojë në këtë raund ngjitjen në Ligën A, për të garuar në kualifikueset e radhës për të qenë pjesë e Europianit.

Federatës së Futbollit i janë besuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme të nivelit europian përgjatë viteve të fundit. Një tregues mjaft i qartë ky i punës së shkëlqyer të FSHF-së duke dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri te qeveria e futbollit europian, që i ka besuar edhe organizimin e finales së parë dhe historike të kompeticionit më të ri, UEFA Europa Conference League, më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.

Hyrja në stadium për të parë këto ndeshje do të jetë falas.