EURO 2024/ Shqipëria e pafat ndaj Polonisë, vendos goli i Sviderskit - FSHF

EURO 2024/ Shqipëria e pafat ndaj Polonisë, vendos goli i Sviderskit

Kombëtarja shqiptare luajti mbrëmjen e kësaj të hëne në Varshavë ndeshjen e parë kualifikuese të EURO 2024 ndaj Polonisë vendase. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo u mundën me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin e Varshavës.

Tekniku brazilian hodhi në fushë këtë 11-she titullare në ndeshjen e tij të parë në krye të Kombëtares shqiptare: Strakosha, Balliu, Hysaj (c), Mihaj, Kumbulla, Gjasula, Ramadani, Asllani, Asani, Uzuni, Cikalleshi.

Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë mjaft të mirë, pavarësisht golit të pësuar pak minuta para fundit të 45 minutave të para. Rasti më i pastër për kuqezinjtë ishte në minutën e 20-të, me Jasir Asanin, i cili ekzekutoi një goditje dënimi, duke e dërguar topin në qendër, aty ku është Gjasula, i cili nuk përfiton mirë nga kjo situatë, me topin që devijohet mbi traversë nga mbrojtësi kundërshtar.

Dy minuta më pas, sulmuesi kuqezi Sokol Cikalleshi pati një mundësi shumë të mirë shënimi, duke goditur fort me të majtën e tij nga jashtë zone, por portieri Sheznji grushton topin, duke e dërguar në këndore. Edhe polakët patën një mundësi për të kaluar në avantazh në minutën e 29-të, por mbrojtësi Mihaj ndërhyn shpejt dhe bukur ndaj Levandovskit.

Vendasit kalojnë në epërsi në minutën e 41-të ku pas një goditje dënimi, një gjuajtje nga jashtë zonës e Kaminskit ndalet nga shtylla e pastaj Sviderski godet duke kaluar portierin tonë.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 të vendasve, teksa fraksioni i dytë nis pa zëvendësime. Kuqezinjtë qarkullojnë më mirë topin në fillimin e kësaj pjese të dytë. Asllani provon në minutën e 55-të me një goditje dënimi, por mbrojtja kundërshtare reagon mirë.

Myrto Uzuni pati një nga rastet më të mira për të baraspeshuar rezultatin në minutën e 57-të, duke tentuar nga e majta portën, por Sheznji i mohon golin me një devijim vendimtar. Një minutë më vonë, pas një goditje nga këndi, është mesfushori Asllani, ai i cili ka mundësinë të realizojë, por është sërish portieri vendas ai i cili na mohon golin. Kristjan Asllani tenton përsëri tre minuta më vonë, me një gjuajtje nga jashtë zonës, këtë herë nuk gjen portën polake.

Trajneri Silvinjo bën zëvendësimin e parë në minutën e 70-të, me Asanin i cili la fushën dhe në vend të tij hyn Anis Mehmeti, ndërsa gjashtë minuta më vonë, Cikalleshi i lë vendin Taulant Seferit në fushë, ndërsa Asllani i bën vend Bajramit. Edhe Laçi hyn në fushë në vend të Gjasulës.

Sulmuesi Myrto Uzuni ka sërish një nga rastet më të mira për të baraspeshuar rezultatin, teksa djaloshi merr një pasim të shkëlqyer nga Taulant Seferi, por gjuan jashtë ngjitur me shtyllën kundërshtare.

1-0 në favor të polakëve mbyllet kjo ndeshje e parë e Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Një ndeshje mjaft e mirë e kuqezinjve, të cilët ishin të pafat në këtë sfidë të parë kundër Polonisë.