Etika, nisin hetimet për Tërbuni - Bylis - FSHF

Etika, nisin hetimet për Tërbuni – Bylis

Sot në orën 14.00 në Federatën Shqiptare të Futbollit, është mbledhur Komisioni i Etikës. Objekt i kësaj mbledhjeje, ka qenë ndeshja e javës së njëmbëdhjetë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore, Tërbuni- Bylis, për të cilën janë hedhur dyshime në media, se ka qenë e trukuar. Në mbledhjen e zhvilluar sot, komisioni u njoh me materialet që kishte në dispozicion, të servirura nga Sektori i Garave, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në bazë të tyre dhe të dhënave të tjera, pasi diskutuan gjatë në lidhje me këtë ndeshje, ata vendosën që të nisin hetimet për takimin Tërbuni – Bylis. Komisioni i Etikës do të mblidhet përsëri në javën e ardhshme dhe do të thërrasë si dëshmitarë, zyrtarët e ndeshjes (delegate dhe vëzhgues) dhe arbitrat e saj. Ai do të thërrasë gjithashtu edhe dy kapitenët e skuadrave për shkak se zyrtari i ndeshjes i ka thirrur dhe i ka kërkuar të luajnë futboll të pastër. Komisioni i Etikës, i ka kërkuar UEFA-s, që të sjellë informacion në lidhje me këtë ndeshje.

Komisioni i Etikës do të mblidhet të enjten e ardhëshme në orën 14.00.