“Epilogu i një sezoni”, FSHF bashkëbisedim me Mediat - FSHF

“Epilogu i një sezoni”, FSHF bashkëbisedim me Mediat

“Epilogu i një sezoni”, ka qenë ky eventi i radhës nga Federata, ku vetë FSHF ftoi mediat sportive në vend në një bashkëbisedim të ngushtë në lidhje me sezonin që lamë pas, me përfundimin e garave. Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku iu përgjigjën edhe shumë pyetjeve të gazetarëve që kishin të bënin me garën, kampionatin që sapo u mbyll, kontestimet e klubeve, si edhe me një sër çështjesh të tjera. Pjesa kryesore e interesimit të gazetarëve tek Presidenti u fokusua te arbitrimi dhe kritikat e kohëve të fundit mbi gjyqtarët. Dhe në këtë pikë vetë Presidenti theksoi disa herë:

“Unë nuk besoj se ky edicion apo ai më parë ka pasur gabime më shumë, apo më pak. Gabimet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë edhe në të ardhmen. Mendoj se në radhë të parë duhet të mësohemi ta pranojmë fituesin, ta urojmë, nëse e pranojmë ne si aktorë, do të rritnim interesin për atë garë dhe për ta fituar. Jo për të fshehur gabimet tona, apo tentativën e pakufijtë për të marrë diçka nga gara. Duke e bërë pis atë, presim degën ku jemi ulur vetë. Kjo është loja, gabimet kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Komisionet përkatëse në FSHF kanë patur dhe kanë të drejtën e hetimit, që e bëjnë në lidhje me performancën e gjyqtarëve, por dënimet nuk bëhen publike, por merren nga komisionet. Jam i sigurt që gjyqtarët nuk kanë qenë vendimtarë në ecurinë e garës”,- theksoi Presidenti Duka në lidhje me pikën më të anatemuar kohët e fundit, pjesën e gjykimit. E ndërkaq, në lidhje me Tiranën, vetë Presidenti citoi: “Më vjen shumë keq si president i FSHF-së, do të më vinte edhe po të mos isha president, sepse bëhet fjalë për një klub me shumë histori, por nuk e quaj dramë. Tirana mund të riorganizohet dhe të rikthehet siç u rikthye Partizani, që për më tepër ra deri në Kategorinë e Dytë, dhe sot është pretendent për titull. Kam besim se presidenti Halili do dijë ta rikthejë në nivele të larta. Një vit do kalojë shpejt dhe uroj që Tirana të rikthehet si Partizani, Juventusi, apo Zyrihu”. E ndërkaq në këtë takim, pyetjet ishin nga më të ndryshmet, që nga ideja e ndryshimit të skemës së Superiores, krijimit të Ligës Profesioniste, pjesës së liçensimit të klubeve, financave të klubeve, ku Presidenti Armand Duka dhe Sekretari Ilir Shulku dhanë përgjigjet përkatëse. Një epilog me median në këtë mbyllje sezoni, teksa të mërkurën do të mësohet edhe emri i fituesit të Kupës së Shqipërisë për këtë edicion.