Emisioni i 24-t i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua sot live në FSHF TV, duke sjellë një analizë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet e moshave dhe kampionati “Abissnet Superiore”.
Nën moderimin e Lenida Halilajt, të ftuar në studio ishin ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila dhe gazetari sportiv Elvis Rexha, të cilët diskutuan për paraqitjen e Kombëtares në fazën play-off të Kupës së Botës 2026 dhe ecurinë e ekipit kuqezi në këtë periudhë.
Pjesë e emisionit, përmes një lidhjeje live, ishte edhe ish-futbollisti i Kombëtares, Klaus Gjasula, i cili ndau opinionet e tij për ecurinë e Kombëtares në vitet e fundit nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, duke vlerësuar progresin e skuadrës dhe objektivat e arritura.
Në vijim të diskutimit, të ftuarit analizuan edhe fitoren e Kombëtares U-21 në miqësoren ndaj Uzbekistanit, një test i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027, si edhe paraqitjen e Kombëtares U-19 në raundin e parë kualifikues.
Në pjesën tjetër të emisionit u diskutua edhe për kampionatin “Abissnet Superiore”, me fokus te gara për “Final Four” dhe lufta për mbijetesë. Të ftuarit analizuan përballjet e javës së 30-të, ku priten ndeshje mjaft të rëndësishme dhe vendimtare si për zonën “Final Four”, ashtu edhe për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

















