Emisioni i 22-të i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua live sot në FSHF TV, nën moderimin e Lenida Halilaj. Të ftuar në studio ishin koordinatori i zyrës së presidentit për çështjet sportive, Abdyl Kuriu, Florian Riza dhe gazetari sportiv Flori Thomaj.
Emisioni nisi me diskutimin për Kombëtaren, e cila është në prag të nisjes së grumbullimit për fazën play-off të Botërorit 2026.
Më tej, u ndanë përjetime personale mbi fanellat e reja të Kombëtares. Më 26 mars, kuqezinjtë do të zbresin në fushë me fanellën e zezë të këtij koleksioni të ri.
Gjithashtu, më 26 mars, në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF do të organizojë një Fan Zone për të gjithë tifozët, e cila do të ofrojë transmetim live të ndeshjes, muzikë live me këngëtarë dhe DJ, aktivitete promocionale, pije për tifozët dhe aktivitete të tjera. Të ftuarit ndanë mendimet e tyre për këtë event të veçantë për tifozët kuqezi.
Në vazhdim, u fol edhe për Kombëtaret e moshave, ndeshjet miqësore të Kombëtares U21, turneun kualifikues të Kombëtares U19 që do të zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, si dhe dy ndeshjet miqësore të Kombëtares U17 ndaj Letonisë.
Pjesa e dytë e emisionit u fokusua te java e 28-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, ku gara për Final Four dhe për mbijetesë vijon të jetë shumë e fortë.
Gjatë emisionit u diskutuan edhe datat e ndeshjeve të Final 4, që do të luhen në stadiumin “Air Albania”, si dhe shpërblimet që do të përfitojnë ekipet pas mbylljes së 36 javëve të kampionatit, përfshirë edhe ekipet që do të marrin pjesë në Final 4 dhe skuadrën që do të shpallet kampione.

















