Elsi Hysaj bën bomberin, shënon golin e parë me klubin e ri në Serie A! - FSHF

Elsi Hysaj bën bomberin, shënon golin e parë me klubin e ri në Serie A!

Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë me ekipin e Lazios këtë të shtunë në ndeshjen që kryeqytetasit zhvilluan kundër Spezia-s, sfidë e vlefshme për Serinë A italiane.

Në këtë fitore të lacialëve ka gdhendur emrin edhe mbrojtësi shkodran, i cili shënoi golin e pestë për ekipin e Lazios.

Shkodrani e nisi ndeshjen që nga minuta e parë, teksa në minutën e 70-të të takimit, ai mori mjaft bukur një top të dhënë nga Luis Alberto, duke u futur brenda zonës kundërshtare e duke shënuar golin e radhës për Lazion, që po fitonte me rezultatin 4-1.

Ky ishte goli i dytë në karrierën e mbrojtësit kuqezi në ndeshjet e zhvilluara me klubet në Serinë A, teksa golin e parë e ka shënuar me fanellën e Napolit, ndërsa goli i dytë erdhi ditën e sotme me Lazion. Kjo është ndeshja e dytë e shqiptarit me ekipin lacial.