Elite Round i Europianit / Shqipëria U-17 nis grumbullimin, trajneri Bulku shpall listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar - FSHF

Elite Round i Europianit / Shqipëria U-17 nis grumbullimin, trajneri Bulku shpall listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar

Kombëtarja U-17 do të nisë sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për fazën Elite Round të Europianit të kësaj grup-moshe. Shorti i UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin ton në muajin mars 2023.

Trajneri Ervin Bulku ka shpallur sot listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto sfida zyrtare mjaft të rëndësishme. Boshti i ekipit është pothuajse i njëjtë me atë që arriti të siguronte kualifikimin në eliminatoret e luajtura vitin e kaluar, ndërkohë që stafi teknik ka mundur të afrojë disa elementë të rinj, të cilët i ka testuar në ndeshjet e fundit miqësore që skuadra kuqezi ka zhvilluar gjatë dy muajve të fundit ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe Italisë. Emrat e rinj që vijnë nga jashtë janë Muhadin Sulejmani, Frederik Tosku, Klejdi Marinaj, Kleo Shpuza, Fabjan Përndreca, Tedi Malaj, Geralb Kubazi dhe Ron Hasani, ndërsa ka edhe disa lojtarë të afruar nga kampionati shqiptar. Ndërkaq, për Hasanin dhe Sulejmanin pritet pajisja e tyre me pasaportë shqiptare në ditët në vazhdim, teksa shpresohet që ata të jenë të gatshëm për sfidat zyrtare.

Kombëtarja U-17 do të grumbullohet në kompleksin tropikal në Durrës ku do të kryejë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjeve zyrtare.

Gjashtë ndeshjet e grupit do të luhen në Shqipëri në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena” dhe do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars 2023 në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30 ndërsa po atë ditë do të luhet ndeshja tjetër Letoni-Zvicër në “Elbasan Arena” që nis në ora 15:30. Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars me Francë-Letoni, ora 11:30 në “Elbasan Arena” dhe Zvicër-Shqipëri ora 17:00 në “Air Albania”.

Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars 2023 dhe të nisin të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Nëse Shqipëria U-17 do të mund të kualifikohet për në finalet e Europianit U-17 do të arrijë një sukses madhor për një ekip kombëtar shqiptar të moshave.

Më poshtë, edhe lista me emrat e lojtarëve të ftuar në Kombëtaren U-17: