Eliminatoret U-17, Shqipëria humbet edhe ndeshjen e dytë - FSHF

Eliminatoret U-17, Shqipëria humbet edhe ndeshjen e dytë

Në pjesën e parë Shqipëria është gjendur shumë herët në disavantazh. Në minutën e pestë të takimit gjyqtari kryesor nga Uellsi Bryn Markham-Jones, ka akorduar një 11-metërsh për skuadrën serbe e cila është kthyer në gol nga ana e Djerlek. Me këtë avantazh të shpejtë, kundërshtari e ka patur më të lehtë. Madje në minutën e 13, me anë të sulmuesit Bosiç, serbët kanë arritur që të shënojnë përsëri. Trajneri Xhemal Mustedanagiç kërkon të ndryshojë në lojën e kuqezinjve 17 vjeçarë. Aktivizon Pëllumbin në vend të Liços. Shqipëria bëhet më ngulmuese dhe kërkon më shumë duke e vënë në vështirësi kundërshtarin. Megjithatë rezultati i pjesës së parë mbeti i pandryshuar, në avantazhin e dy golave të shënuar nga serbët.

Në pjesën e dytë, skuadra jonë bëhet edhe më kërkuese në lojën e saj, teksa teksa trajneri Mustedanagiç kërkon të shënojë duke aplikuar skena sulmuese. Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës tonë dhe volumit të lojës së krijuar, rezultati mbeti ai i minutës së 13 të ndeshjes, pra 2-0 për Serbinë. Në orën 14.00 do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e këtij grupi mes Maqedonisë dhe Italisë. Takimin e fundit skuadra jonë do ta zhvillojë më datë 31 tetor kundër Maqedonisë.

Serbi-Shqipëri 2-0

Serbia: Milojeviç, Shehoviç, Iliç, Markoviç, Pavloviç, Jankoviç ( 41’ Kokir), Stupareviç, Djerlek, Kamenoviç, Vidosavljeviç (67’ Shepahi), Bosiç

Shqipëria: Sinani, Doda, Rama, Pjetri, Kumbulla, Lakti, Kraja, Marishta (51’ Oshafi), Liço ( 21’ Pëllumbi) (45’ Gavazaj), Lekaj, Isufi.

Golashënues: 5‘ Djerlek (p), 13’ Bosiç

Kartona të verdhë: Shehoviç, Iliç, Kamenoviç Liço, Lakti, Isufi, Kumbulla

Karton i kuq: Isufi

Gjyqtar kryesor: Bryn Markham-Jones (Uells) Asistentë: Johnathon Bryant (Uells), Alessio Tolfo (Itali) Gjyqtar i katërt: Fabio Maresca (Itali)