Të mërkurën në orën 18.30, në stadiumin më të ri të Shqipërisë, ekipi kombëtar i futbollit, do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër ekipit U-19, të Futboll Klub Elbasanit. Kjo ndeshje e improvizuar, në kuadrin e përgatitjeve të skuadres kombëtare, për ballafaqimin kunder Danimarkës do te jete edhe inagurimi zyrtar i “Elbasan Arena”. Pra një ngjarje e shënuar për qytetin. Në ceremoninë që do të organizohet me këtë rast, pritet që të jenë të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Presidenti i FSHF Armand Duka, Ministria e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe shumë personalitete të tjera si edhe figura të njohura të sportit.
Qytetarët e Elbasanit, do të kenë mundësinë që të shijojnë ndeshjen dhe stadiumin e ri të qytetit të tyre, me një hyrje të lirë.
Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit, që të jenë të pranishëm në një event të tillë të rrallë, i cili do të mbetet në memorien e qytetit të tyre, si një ngjarje e paharrueshme.

















