Egnatia dhe Dinamo City siguruan kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, pas paraqitjeve pozitive në ndeshjet e kthimit të turit të dytë.
Egnatia fitoi sërish ndaj Dinamo Minsk, këtë herë në “Egnatia Arena”, me rezultatin minimal 1-0. Pas triumfit 2-0 në sfidën e parë në Hungari, djemtë e Edlir Tetovës vulosën kualifikimin me një gol të realizuar nga Kastriot Selmani.
Dinamo City barazoi 1-1 ndaj Atletic Club Escaldes duke kaluar në fazën tjetër falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë në transfertë.
Sakaq, Vllaznia nuk arriti të mbrojë avantazhin e fitores 2-1 në Shkodër, duke u mundur 3-2 në kohën e rregullt nga Vikingur. Me rezultatin e përgjithshëm 4-4, ndeshja shkoi në kohë shtesë, ku islandezët shënuan edhe një gol tjetër, duke fituar 4-2 dhe u kualifikuan me rezultatin e përgjithshëm 5-4.
Egnatia dhe Dinamo City do të vijojnë tashmë rrugëtimin europian në raundin e tretë, duke kërkuar suksesin e radhës në arenën ndërkombëtare.


















