Durrës, organizohet Kampionati i VII-të i Futbollit për femra në shkollat 9-vjeçare - FSHF

Durrës, organizohet Kampionati i VII-të i Futbollit për femra në shkollat 9-vjeçare

Zyra Rajonale e FSHF-së në Durrës, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe AF Teuta, organizuan kampionatin e VII-të të futbollit për vajza në shkollat 9-vjeçare.

Në këtë kampionat morën pjesë 8 shkolla 9-vjeçare të qytetit bregdetar me rreth 80 vajza, të cilat u aktivizuan në lojën e bukur të futbollit.

Fitues i këtij kampionati u shpall ekipi i shkollës “Qemal Mici”, të cilit iu dorëzua Kupa, medalje për vajzat dhe certifikatat e pjesëmarrjes.

Vendin e dytë e zuri ekipi i shkollës “Eftali Koçi”, vendin e tretë ekipi i shkollës “Besnik Hidri”, ndërsa me çmimin “Fair Play” u vlerësua ekipi i shkollës “Hasan Koçi”.

Gjithashtu, futbollistja më e mirë e kampionatit u shpall nxënësja, Xhesjana Disha e shkollës “Eftali Koçi”; golashënuesja më e mirë e kampionatit, nxënësja Sindiola Ndrelalaj e shkollës “Qemal Mici”; dhe portierja më e mirë e kampionatit, nxënësja Ketrin Suli e shkollës “Eftali Koçi”.

Finalja u zhvillua mes shkollës “Qemal Mici” dhe shkollës “Eftali Koçi”, ndeshje që përfundoi me shifrat 3-0 në favor të shkollës “Qemal Mici”.

Për shkak të pandemisë, ndeshjet u zhvilluan pa tifozë dhe vajzat nuk patën përkrahjen e bashkëmoshatareve të tyre.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Federata Shqiptare e Futbollit i dorëzoi ekipet me certifikata pjesëmarrjeje dhe i dhuroi nga një top futbolli, si shenjë për të vazhduar të luajnë futboll.

Të pranishëm në ceremoni ishin Drejtor i “QKF” Durrës, Avni Çuni, përgjegjës i sektorit të sporteve për “QKF”, Eduart Salillari, shefi i klubit Teuta, Enid Furxhi dhe përgjegjës i Zyrës Rajonale FSHF Durrës, Arbër Kalemi.