Duka për “Opinion”: FSHF, partnere zyrtare e UEFA-s për finalen. Punojmë prej 24 orë në ditë për këtë event - FSHF

Duka për “Opinion”: FSHF, partnere zyrtare e UEFA-s për finalen. Punojmë prej 24 orë në ditë për këtë event

Federata Shqiptare e Futbollit punon prej më shumë se tre muajsh nga 24 orë në ditë për organizimin sa më të mirë të finales së UEFA Conference League në Tiranë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është i bindur se të gjithë aktorët e përfshirën në përgatitjen ekësaj ngjarje madhore për Shqipërinë do të bëjnë gjithçka që çdo gjë të mbyllet me një histori suksesi për vendin tonë. Në intervistën e tij për “Opinion” kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli ndër të tjera për procesin e aplikimit, si u bë e mundur sjellja e finales së një turneu të rëndësishëm europian për klube në vendin tonë, kapacitetet e Shqipërisë për të pritur një fluks të madh tifozësh, çështjet e sigurisë apo edhe për impaktin financiar që kjo ndeshje ndërkombëtare do të ketë për vendin tonë.

 

– Zoti Duka, si lindi ideja për të bërë aplikimin që finalja e UEFA Conference League të zhvillohej në Tiranë?

– Sapo filluam projektin e ndërtimit të stadiumit kishim idenë dhe objektivin për të organizuar një event madhor duke pasur parasysh objektin që po ndërtonim. Realisht kemi aplikuar për të pritur finalen e Superkupës së Europës me projektin e stadiumit, pra një projekt të papërfunduar. Ishim të bindur që nuk mund ta fitonim me projekt, sepse UEFA duhet të jetë shumë e sigurt kur vendos për zhvillimin e një finaleje, por gjithsesi strategjikisht e menduam: ok, le të jemi në radhë si një vend pretendent për të organizuar një finale. Më vonë, kemi aplikuar edhe një herë tjetër kur stadiumi ishte në fazën e ndërtimit dhe kur u shpall për herë të parë krijimi i këtij kompeticioni të ri, UEFA Conference League, ndërkohë stadiumi kishte përfunduar dhe kemi aplikuar me një stadium të përfunduar. Nuk ishim vetëm ne që aplikuam apo që kishim interes për të marrë finalen e parë historike të Conference League, ishin edhe disa vende të tjera si Finlanda, Irlanda, Greqia apo edhe ndonjë vend tjetër. Disa u eliminuan rrugës dhe pastaj nga UEFA u votua Shqipëria.

– Si u lobua për këtë finale? Si u promovua Shqipëria?

– Skepticizëm faktikisht ne shohim që ka gjithmonë, ka mediatikisht, ka në diskutimet e qarqeve politike apo sportive, pse Shqipëria, ky vend i vogël nuk ka eksperiencë, por në institucione të tilla serioze siç është UEFA nuk gjykohet apo vendoset në bazë të opinioneve apo skepticizmave, por në bazë të kritereve, nëse i plotëson apo jo. Pasi ndërtuam stadiumin ne i plotësonim kriteret për këtë kompeticion, qoftë me aeroportin pavarësisht i një kapaciteti të vogël, por i ndërtuar në mënyrë bashkëkohore, qoftë me transportin apo me kapacitetet hoteliere për eventin që ishte dhe për stadiumin që ishte. Kështu që pasi nga pikëpamja administrative, kriteret kalojnë klasën minimumi për tre kandidatë ato votohen në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe ky organ vendosi t’ia besojë Shqipërisë këtë aktivitet.

– Cilat ishin avantazhet dhe dizavantazhet e Tiranës në krahasim me vendet e tjera?

– Dizavantazhi i Shqipërisë, nëse do ta konsideroj të tillë, ishte mungesa e eksperiencës për organizimin e eventeve të tilla, jo vetëm sportive, por edhe në fusha të tjera të jetës dhe nëse do të ishte opinioni, pra a mund ta organizojë këtë gjë Shqipëria. UEFA nuk e sheh aspak në këtë këndvështrim, por sheh 55 anëtarë të një organizate që quhet UEFA dhe ka interesin që të zhvillojë futbollin, të promovojë futbollin në çdo vend anëtar të saj. Dhe kontribute për zhvillimin e futbollit japin të gjitha vendet anëtare, edhe ato që mund të quhen të vogla apo të mesme siç është Shqipëria. Në këndvështrimin e zhvillimit të futbollit europian, UEFA vendos që t’i shpërndajë këto lloj aktivitetesh dhe të gjithë anëtarët të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme dhe jo të përqendrohet vetëm në vende shumë të zhvilluara si mund të jetë Gjermania, Franca, etj.

– A ka realisht Shqipëria dhe Tirana kapacitet për sigurinë dhe rendin publik, por edhe infrastrukturën hoteliere dhe transportin për të organizuar një event të tillë?

– Ne na mungon eksperienca dhe jo vetëm ne që jemi organizatorët apo partneri kryesor i UEFA-s për zhvillimin e këtij aktiviteti, Federatës Shqiptare të Futbollit, i mungon eksperienca Policisë së Shtetit, i mungon edhe institucioneve të tjera si aeroporti për të pritur një event me një trafik apo përqendrim kaq të madh njerëzish, qoftë edhe hotelerisë i mungon eksperienca. Gjithsesi, gjithmonë do të ketë një herë të parë dhe le të shërbejë kjo për një eksperiencë për të ardhmen. Ne jemi përpjekur maksimalisht që secili nga ne në këndvështrimin e vet ta bëjë sa më mirë punën, duke nisur që nga FSHF-ja, si partner kryesor i UEFA-s në këtë organizim. Administrata e FSHF-së ka që prej tre muaj që punon 24 orë në dispozicion të organizimit të finales, Policia e Shtetit gjithashtu është në dispozicion dhe strukturat e hotelerisë janë të gatshme për ta bërë sa më mirë punën, aeroporti gjithashtu. Çdo aktor do ta shohë si detyrë qytetare, që secili ta bëjë sa më mirë punën e tij dhe të dalim sa më mirë në përfundim të këtij aktiviteti për të pasur mundësi që njerëzit të cilët vijnë në Tiranë të na rikthehen përsëri si turistë, jo vetëm si tifozë futbolli apo për t’i dhënë mundësinë vetes për të organizuar aktivitete të tjera në futboll apo në fusha të tjera.

– U lajmërua më 3 dhjetor 2020 që Tirana do të presë finalen e UEFA Conference League. Pyetja ime është, cilat janë federatat që na mbështetën dhe votat që bënë diferencën?

– Vendimi për të emëruar vendin se ku organizohen finalet e kompeticioneve të klubeve, qoftë Conference League, Europa League apo Champions League apo edhe për Kampionatin Evropian merret nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe jo nga Kongresi. Edhe ky vendim është marrë në atë mbledhje të Komitetit Ekzekutiv dhe KE e ka mbështetur në mënyrë unanime vendimin që kjo finale të organizohet në Tiranë.

– Sa ka kushtuar një biletë për këtë ndeshje?

– çmimet e biletave janë të ndryshme, nisin nga minimalja diku te 20 euro dhe çmimi maksimal 125 euro, pra nga kategoria e 4-t deri në kategorinë e 1-rë. Çmimi është vendosur nga UEFA që në strategjinë e përcaktimit të çmimeve UEFA nuk merr parasysh kostot, sepse kostot janë jashtëzakonisht shumë më të larta. Nëse do të shkonit në stadium gjatë 15 ditëve të fundit do të shikonit mbi 300 persona që punojnë brenda stadiumit, UEFA ka marrë me qira Pallatin e Kongreseve në të cilin punojnë edhe rreth 200 persona të tjerë, kemi 400 vullnetarë, kështu që kostot janë jashtëzakonisht shumë të larta. Por në përcaktimin e çmimeve merret parasysh edhe niveli ekonomik i vendit për të mos qenë çmimet shumë të larta.

– çfarë impakti financiar pritet të ketë ky event?

– Një event i tillë, duke llogaritur aq njerëz sa kanë hyrë në Tiranë gjatë gjithë kësaj periudhe për të këtë qëllim dhe aq njerëz sa do të vijnë gjatë këtyre ditëve, llogaritet që të ketë një lëvizje të ardhurash prej 140 milionë euro. Ka zëra që thonë se është shifër e lartë, por nëse do të bësh një llogari të vogël, nuk është e lartë dhe nëse do marrim si referencë atë që thonë mediat, sipas të cilave një dhomë hoteli në Tiranë kushton rreth 1 mijë euro atëherë vetëm nga hotelet mund të jenë 30 milionë euro minimumi. Pastaj llogarisni dhe të gjithë konsumin tjetër apo shërbimet që do marrin të gjithë njerëzit që do të jenë në këtë finale.

– A e fut ky event Shqipërinë në hartën e futbollit europian?

– Shqipëria nuk mund të futet në Europë as me një event, as me dy dhe as në një ditë. Shqipëria duhet të bëjë çdo gjë mirë ditë pas ditë duke hedhur nga një hap të vogël përpara çdo ditë që të realizojë atë ëndërr që ka për të qenë pjesë e komunitetit europian. Kjo ngjarje është një nga ato gjëra, por duhen dhe shumë gjëra të tjera.