Duka: Ja risitë dhe reformat e këtij edicioni futbollistik - FSHF

Duka: Ja risitë dhe reformat e këtij edicioni futbollistik

Edicioni i 84-të i “Abissnet Superiore” nis rrugëtimin e tij me ndeshjen Kukësi-Tirana. Një ndeshje që shenjon dhe nisjen e sezonit futbollistik në vendin tonë. Pak orë përpara nisjes së sezonit të ri, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur në një intervistë për Radio Televizionin shqiptar, duke analizuar situatën në futbollin shqiptar, nga Abissnet Superiore te ekipi kombëtar, arbitrimi, futbolli i vajzave, infrastruktura dhe futbolli i moshave ku është investuar më shumë se ҫdo sezon tjetër falë projektit Uniforma Ime që do ti japë falas të gjithë bazën materiale vajzave dhe djemve që luajnë futboll në vendin tonë.

– President, gati të nisë sezoni i ti i kategorisë “Abissnet Superiore”, për ju është thjeshtë një rutinë apo do të ketë risi për mënyrën e organizimit?

– Është fillim sezoni jo vetëm për Superioren, por edhe për të gjithë futbollin kombëtar shqiptar dhe të gjitha garat. E nisim me Abissnet Superiore për të vazhduar me Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, futbollin e femrave apo edhe futbollin e të rinjve dhe amatorëve. Padyshim që ka shumë risi, është bërë një reformë e plotë te futbolli i të rinjve, është bërë një rivlerësim apo përmirësim i të gjitha rregulloreve të aktiviteteve për t’iu përshtatur akoma më shumë një gare më kompetitive dhe gjithashtu janë bërë dhe projekte mbështetëse për pjesëmarrësit në garë. Projekte që besoj se do të ndihmojnë në zhvillimin e garës, ato që mund të përmendim janë kryesisht projektet e infrastrukturës që në fakt janë në vazhdim dhe do të bëjnë të mundur që të kemi një garë dhe infrastrukturë më të mirë.

Gjatë kësaj periudhe janë bërë goxha investime dhe fusha të reja. Reforma kryesore është riformatimi i futbollit të të rinjve, do të jenë në të njëjtën linjë me futbollin e të rriturve. Pra, nëse do të ketë 10 ekipe Abissnet Superiore do të ketë edhe 10 ekipe të rinjsh dhe në Kategorinë e Parë me të njëjtën skemë. Kjo bëhet me qëllim që futbolli profesionist apo elitar të rritet më shumë dhe t’u jepet më shumë hapësirë ekipeve amatore. Objektivi i kësaj reforme ka qenë rritja e profesionalizmit dhe hapësirë për më shumë fëmijë dhe për amatorët. Risi tjetër siç ne e kemi lançuar edhe në strategjinë tonë Futbolli për Kombin, që do të na udhëheqë për 4 vitet e ardhshme, është edhe projekti i ri “Uniforma Ime”, që do të mbështesë me materiale sportive të gjitha ekipet që marrin pjesë në garat jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale shqiptare. Një tjetër mbështetje direkte për talentet është incentivimi financiar i çdo ekipi të Kategorisë së Parë për çdo futbollist të ri të aktivizuar në ekipet e parë, duke u dhënë më shumë hapësirë të rinjve dhe talenteve për t’u zhvilluar dhe FSHF do t’i shpërblejë klubet e Kategorisë së Parë që aktivizojnë futbollistë të rinj.

Projekte të tjera për arbitrat dhe shumë nisma të tjera që janë në vazhdimësi për të pasur një edicion akoma dhe më të mirë.

– Institucioni që ju drejtoni a ka monitoruar garancitë financiare të klubeve, duke qenë se kjo përkthehet edhe në mbarëvajtjen e kampionatit?   

– Është një term që e dëgjoj mediatikisht, por që në fakt nuk ekziston garancia financiare për klubet. Ajo çfarë kontrollon Departamenti i Licencimit në FSHF është fair-play financiar, të ardhurat dhe shpenzimet e klubeve, nuk ekziston një kusht që pjesëmarrësit në garë duhet të ketë një shumë parash, sepse të ardhurat krijohen gjatë garës dhe shpenzohen gjatë garës. Shiten bileta dhe ato të ardhura përdoren për shpenzime operative apo të ardhura të tjera nga të drejtat e reklamave apo transmetimit. Pra, ajo që bën FSHF jo vetëm për ekipet elitare të Abissnet Superiore, por në të gjitha kategoritë e tjera, respektohen rregullat e lincencimit dhe ato ekipe që licencohen kanë respektuar fair-play-n financiar për garat respektive. Jo të gjitha nivelet kanë të njëjtat kërkesa, padyshim që niveli i kërkesave sipas kategorive është i ndryshëm dhe të gjitha ekipet që marrin pjesë në garë janë të licencuara nga Departamenti i Licencimit.

– President, a mund të na thoni diçka për përmirësimin e infrastrukturës, duke qenë se FSHF prej kohësh është kontribuuesi kryesor në këtë drejtim?

– Kjo është e meta kryesore që kemi dhe nëse kërkojmë një futboll akoma më të zhvilluar, nëse duam klube shqiptare që të shkojnë akoma më larg në Europë, nëse kërkojmë që Kombëtarja shqiptare të arrijë më shumë rezultate, nëse kërkojmë futboll për të gjithë apo më shumë masivitet, duhet të kemi shumë më shumë infrastrukturë dhe fatkeqësisht perceptimi në vendin tonë është që infrastrukturën duhet ta ndryshojë Federata. Kjo është thjesht e pamundur, asnjë federatë në botë nuk ndryshon dot infrastrukturën pavarësisht mbështetjes modeste që mund të japim ne. Kohët e fundit, përveç investimeve në stadiume elitare nga qeveria, për infrastrukturën përgatitore, stërvitore apo gjithë pjesën tjetër të stadiumeve, kanë mbetur në dorë të Federatës. Është e pamundur që të bëhet.

Që të realizojmë ato pritshmëri duhet të kemi shumë më shumë inventar fushash sportive, me gjithë projektin e “100 fushave” nuk po arrijmë që të shtojmë numrin e fushave, sepse thuajse të gjithë subjektet e interesuara aplikojnë për rikonstruksionin e fushave ekzistuese, ndërsa ka pak kërkesa për ndërtime fushash të reja. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ka nisur një fazë rikonstruksioni në disa fusha, ku mund të përmend ato të Lushnjes, që konsiston në rindërtimin e tre fushave stërvitore dhe stadiumit, në Durrës ku ka përfunduar rikonstruksioni i dy fushave dhe po përgatitet një projekt tjetër për të ndërtuar 3 fusha të tjera rreth stadiumit “Niko Dovana”. Po përfundojnë dy fusha në Vorë, ajo e stadiumit dhe një fushë stërvitore, po bëhet rikonstruksioni i fushës në stadiumin e Orikumit, në fushën e Luzit gjithashtu. Pra janë më shumë se 20 fusha gjatë këtij viti që kanë përfunduar ose janë në proces rikonstruksioni, por megjithatë është e pamjaftueshme për futbollin shqiptar rikonstruksioni apo mbështetja nga FSHF. Qoftë klubet pjesëmarrëse në gara, njësitë vendore apo qeveria qendrore, duhet të mendojnë më shumë për përmirësimin e infrastrukturës.

– Është bërë një lloj reforme në sektorin e arbitrimit. Si e vlerësoni paraqitjen e arbitrave sezonin e kaluar, duke përfshirë edhe arbitrat që ishin pjesë e sistemit VAR?

– Arbitrimi është pjesë e rëndësishme e lojës, sidomos në garat elitare, pra sa më lart të shkosh aq më e rëndësishme bëhet vendimmarrja e tyre, kështu që zhvillimi i sektorit të arbitrimit, performanca e tyre, rekrutimi, trajnimi i tyre është një proces që vazhdon bashkë me rritjen e futbollit. Besoj se arbitrat shqiptarë i përgjigjen të njëjtit nivel që ka futbolli shqiptar. Departamenti që ne kemi në FSHF për arbitrat ka punuar edhe gjatë këtij sezoni për të përmirësuar punën dhe përditësuar arbitrat me ndryshimet e rregullave. Personalisht mendoj se që edicioni e fundit sidomos me implementimin e sistemit VAR performanca e arbitrave ka qenë akoma dhe më e mirë. Ka gjëra për të përmirësuar, por që nuk varen vetëm nga arbitrat në fushë. Koha e vendimmarrjes duhet të jetë akoma dhe më e shpejtë, por teknologjia që i shërben mbase nuk është akoma në nivelin që vendimmarrja të jetë më e shpejtë dhe që futbollistët apo tifozët të mos presin gjatë. Padyshim që është një hap shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm implementimi i VAR-it në kampionat, arbitrat e kategorive të tjera kanë qenë në nivele të mira dhe unë mendoj që jemi në rrugën e duhur dhe me arbitrat.

Padyshim që duhet të jenë të përqendruar, seriozë e të mobilizuar për edicionin e ri njësoj si futbollistët, në të gjitha nivelet sepse në fund të fundit nuk ka rëndësi nëse luan për titullin kampion apo për një ekip 13-vjeçarësh, futbolli është i rëndësishëm për këdo dhe drejtësia duhet të jetë njësoj.

– Si do ta përshkruanit aventurën e skuadrave shqiptare në Europë?

– Edicioni që mbyllëm në kupat e Europës së fundmi nuk kishte progres krahasimisht me edicionet e mëparshme. Rezultatet nuk ishin të pritshme, mendoja që mund të shkonim më larg, por nuk ndodhi kështu. Përveç Laçit që kaloi një tur dhe u eliminua në të dytin, skuadrat e tjera u eliminuan që në turin e parë dhe nuk ishte një edicion i suksesshëm. Por gjithsesi futbolli kështu është, sidomos në aktivitete të tilla ku eliminohesh me një ndeshje, nuk është pasqyrë e nivelit të lojës apo performancës së një ekipi gjatë gjithë vitit.

– Këtë sezon me kontratën e të drejtave televizive që ka bërë FSHF-ja, klubet shqiptare tani marrin thuajse dyfishin e të ardhurave. Po me ligjin e sponsorizimit, a do të ketë tentativa të tjera për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me qeverinë?

– Megjithëse akoma nuk e kemi përfunduar procesin për detaje të vogla, e drejta e transmetimit jo vetëm e Abissnet Superiores, por e gjithë paketa e transmetimit të garave të futbollit pothuajse është e përfunduar. Të ardhurat e pritshme janë më shumë se sa dyfishi i edicionit të kaluar dhe kjo është një risi tjetër dhe një mbështetje akoma më shumë për klubet pjesëmarrëse në gara. Risia është se nuk do të ketë të ardhura për klubet e Abissnet Superiore, por edhe për Kategorinë e Parë, pasi është komercializuar edhe e drejta e transmetimit të Kategorisë së Parë dhe Kupës së Shqipërisë. Pra, ka filluar një lloj komercializimi dhe i hap rrugën për t’u rritur siç u rritën të ardhurat e Abissnet Superiore akoma më shumë në të ardhmen.

Jemi në përfundim të procesit për të drejtat e transmetimit brenda territorit shqiptar dhe atë të Kosovës, por kemi besim që do të kemi edhe të ardhura të tjera nga e drejta e transmetimit në vende të tjera të Europës. Padyshim që duhet të vazhdojmë të investojmë për ndryshime ligjore në Shqipëri, ndryshime të cilat mund t’i japin zhvillim futbollit. Është e pamundur që të kemi ato pritshmëri për rezultate apo paraqitje në nivelin ndërkombëtar nës enuk kemi më shumë fusha, nëse nuk kemi më shumë burime financiare. Është e vërtetë që klubet elitare krijojnë disa të ardhura ose mund të mbajnë veten me të ardhurat e tyre, por ekipet e fëmijëve ekipeve e kategorive inferiore, ekipet e vajzave, është e pamundur të zhvillohen nëse nuk ka incentivime dhe është e pamundur të zhvillohen vetëm me incentivimet që bën Federata e Futbollit për të rinjtë apo vajzat në futboll. Duhet të kemi një shtrat ligjor që t’i sigurojë më shumë të ardhura sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti. Padyshim ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje dhe kam besim që do të kemi edhe mirëkuptimin e atyre që e kanë në dorë këtë gjë, qeveria shqiptare për t’u sensibilizuar dhe për të mbështetur këto projekte tona.

– A mund të na thoni diçka për futbollin e femrave duke qenë se është totalisht investim i FSHF-së?

– Futbolli i femrave në Shqipëri fatkeqësisht ka nisur vonë dhe vështirësitë e para kanë pasur lidhe me mentalitetin nëse vajzat dhe gratë mund të luajnë futboll dhe nuk janë mbështetur nga familjet, por unë mendoj se e kemi tejkaluar këtë pengesë. Shoqëria e pranon futbollin e grave njësoj si të burrave, familjet i mbështesin vajzat e tyre për të luajtur futboll. Niveli i futbollit të grave në Europë në përgjithësi është rritur shumë, kështu që dhe tek ne tani duhen hapa të tjera për ta zhvilluar akoma më shumë. Kemi një kampionat kombëtar të nivelit të pranueshëm, kuptohet që nuk e kemi të niveleve më të mira europiane. Kemi krijuar të gjitha ekipet zinxhir kombëtare ashtu si edhe në kampionat të gjithë zinxhirin e moshave të vogla, skuadra me të cilat kemi arritur dhe rezultate pozitive. Ka pak mundësi komercializimi që futbolli i femrave të krijojë të ardhura vetë, kështu që pothuajse i gjithi është i incentivuar apo paguar nga FSHF. Çdo vajzë që luan futboll me klubet në Shqipëri paguhet nga FSHF. Nëse do të kemi ndryshimet e duhura ligjore dhe infrastrukturore për futbollin padyshim që në të njëjtën mënyrë si në futbollin e burrave, do të ndikojë edhe në futbollin e grave.

– Trajnerit të Kombëtares, Edy Reja i përfundon kontrata në fund të ndeshjeve të UEFA Nations League. A do të kemi një rinovim kontrate apo Shqipëria do të mendojë për një trajner të ri?

– Trajnerit i përfundon kontrata realisht në nëntor, jo fiks pas përfundimit të ndeshjeve të shtatorit dhe dy ndeshjet e fundit të Nations League ndaj Izraelit dhe Islandës janë vërtetë shumë të rëndësishme. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që ne t’i fitojmë të dyja ndeshjet, por edhe mund të mos fitojmë asnjë nga ndeshjet. Pra, mund ta mbyllim edhe të parët grupin por mund ta mbyllim edhe në vendin e fundit. Jemi në një farë mënyre me fat që nuk biem nga Liga B, por kemi edhe objektivin për të shkuar në Ligën A. Çdo gjë mund të ndodhë në këto dy ndeshje dhe rezultatet mund të sjellin ndryshime apo vendime të reja. Trajneri dhe stafi i tij për mua kanë bërë një punë të mirë në ekipin shqiptar. Kemi rritje, kemi elementë të ri në ekipin Kombëtar, kemi një numër futbollistësh akoma më të madh në dispozicion. Duhet të kemi parasysh që kemi kaluar një periudhë të vështirë ashtu si e gjithë bota me pandeminë Covid-19 dhe nuk ka qenë e lehtë që të kishe ekip të gatshëm dhe konkurrues për kompetcionet, qoftë Nations League apo kualifikueset e Botërorit. Jemi dëshmitar që vetëm para ndeshjes me Poloninë, më e rëndësishmja e kompeticionit, humbëm tre futbollistë nga Covid-19, por gjithsesi stafi ka zgjeruar grupin për të pasur më shumë futbollistë. Kështu që në përgjithësi kanë bërë një punë të mirë, por dy ndeshjet e shtatorit janë vendimtare për këtë kompeticion dhe për stafin.