Dita e tretë e grumbullimit, Kombëtarja përgatitet me intensitet për sfidat e Botërorit - FSHF

Dita e tretë e grumbullimit, Kombëtarja përgatitet me intensitet për sfidat e Botërorit

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të mërkurë seancën e radhës stërvitore në Durrës, ku ndodhet që prej ditës së diel në kuadër të dy sfidave ndaj Hungarisë dhe Polonisë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e kompleksit “Tropikal”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se i gjithë grupi, përveç sulmuesit Bekim Balaj, ka qenë dispozicion të trajnerit Reja, me lojtarët që gëzojnë formë të mirë fizike.

Balaj nuk është stërvitur ditën e sotme me ekipin, pasi ndjen një shqetësim në muskujt e kofshës dhe i është nënshtruar  vizitave mjekësore, që do të vendosin nëse shkodrani do të jetë apo jo i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Hungarisë. Ndërsa mbrojtësi Ardian Ismajli është stërvitur rregullisht me grupin.

Kujtojmë se mbrojtësi kuqezi, Erjon Hoxhallari është larguar nga grumbullimi ditën e djeshme për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Ekipi shqiptar do të zhvillojë edhe nesër normalisht stërvitje pasdite sipas programit të paracaktuar, teksa ditën e premte do të niset drejt Hungarisë, ku më 9 tetor do të luajë ndeshjen e rëndësishme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.