Dinamo City fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi, triumfon ndaj Egnatias 3-2 në “Air Albania” - FSHF

Dinamo City fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi, triumfon ndaj Egnatias 3-2 në “Air Albania”

Dinamo City fitoi për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë. Në finalen e zhvilluar në stadiumin Air Albania Stadium, skuadra blu triumfoi 3-2 ndaj Egnatias, mes spektaklit dhe emocioneve.

Finalja nisi me një moment vendimtar që në minutën e 6-të, kur Egnatia mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Bakajokos. Dinamo përfitoi nga superioriteti numerik dhe mori kontrollin e lojës, duke kaluar në avantazh në minutën e 23-të me Malomon.

Vetëm pak minuta më vonë, Bregu realizoi një gol mjaft të bukur për të dyfishuar shifrat dhe për t’i dhënë më shumë qetësi skuadrës së Ilir Dajës.

Në pjesën e dytë, edhe Dinamo mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Malomos, ndërsa Egnatia reagoi duke ngushtuar diferencën në minutën e 81-të me Buric. Megjithatë, Dinamo reagoi menjëherë dhe Mustapha realizoi golin e tretë me një goditje spektakolare, duke vulosur suksesin e bluve. Goli i Adjessas në fund të takimit shërbeu vetëm për statistikë.

Pas përfundimit të finales u zhvillua ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF, Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Presidenti Duka i dorëzoi medaljet dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë Dinamo City, që festoi suksesin e dytë radhazi në këtë kompeticion.


Duke kontrolluar karten...