Trajneri i Shqipërisë Xhani De Biazi dhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, kanë dalë dje pasdite në një konferencë për shtyp, të organizuar në ambientet e sallës së konferencave të stadiumit “Elbasan Arena”. Fillimisht ka folur sulmuesi shqiptar i cili ka vlerësuar kundërshtarin por është deklaruar se Shqipëria do të luajë për të marrë rezultat pozitiv. “Shpresoj që të japim, të gjithë më të mirën tonë, për të arritur një rezultat, që do të kënaqë tifozët dhe do të na japë një shtysë për një renditje sa më të mirë në eliminatoret e Kampionatit Europian”- theksoi ai.
Pastaj përpara mediave ka qenë trajneri i Shqipërisë. “Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne për tre arësye: Së pari, sepse konfirmojmë formën tonë dhe rezultatet e deritanishme, së dyti sepse jemi në fazën vendimtare të ndeshjeve kualifikuese dhe së treti, sepse luajmë ndaj një kundërshtari të madh që është edhe kryesuesi i grupit tonë eliminator. Më pas trajneri i Shqipërisë, ka vlerësuar punën që ka bërë trajneri i Portugalisë me ardhjen e tij. Në lidhje me aktivizimit të Hysajt, trajneri deklaroi se ai nuk është i rikuperuar dhe nuk do të jetë në dispozicion në këtë përballje. “Për formacionin, nuk mund të flas sot sepse kam edhe disa dyshime për të cilat do të vendos, nesër paradite. Ju siguroj që do të japim më të mirën, ndaj një kundërshtari të fortë dhe me mjaft talente në skuadër”- deklaroi ai. Në fund trajneri i Shqipërisë, gjeti rastin edhe për të bërë shaka, me pyetjen në lidhje me markimin e yllit të Portugalisë Kristiano Ronaldo: Shpresoj të verë dorën në zemër, sepse unë e kam votuar për “Topin e Artë”. Përndryshe…do të votoj Mesin” – e mbylli ai, konferencën për shtyp.
Më pas, ekipi ju nënshtrua seancës së fundit stërvitore përpara ndeshjes së nesërme

















