DE BIAZI ANALIZON POST-ITALINE - FSHF

DE BIAZI ANALIZON POST-ITALINE

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka dalë sërish sot përpara gazetarëve me të mbërritur në Durrës pas ndeshjes me Italinë. “Mendoj se kemi bërë një ndeshje taktikisht shumë të mirë, skuadra u paraqit mirë, surprizoi kundërshtarët në fillim. Në fazën mbrojtëse me tre lojtarë është interpretuar mirë, ndonëse kishim 2 nga 3 lojtarët që nuk luajnë rregullisht në Serinë A në Itali. Ishte ndeshje me ndonjë vështirësi në fillim, me luhatje, por mendoj se 90 minutat e Italisë ishin prova të mira ato të Veselit dhe Ajetit, dy lojtarë te të cilët kam besim të madh se janë shumë të rinj dhe që kanë mundësi të rriten më shumë.
Jam shumë i kënaqur me mbrojtësin tjetër të “shpikur”, Kukelin, një lojtar që bëri një ndeshje me shumë cilësi, me inteligjencë të jashtëzakonshme. Mirë ishin si Basha ashtu edhe Memushaj, edhe krahët, nga një krah Agolli dhe tjetri Hysaj. Bënë një ndeshje të mirë. Mirë edhe Roshi, Cikalleshi, apo edhe sakrifica e Lilës. Por nuk kishim përballë lojtarë mediokër, por lojtarë si Beloti, Imobile apo Insinje. Italia pati shumë vështirësi, derisa gjetën golin në një skemë që e kishim përmendur 150 herë në stërvitje dhe e dinim që do të ishte pasim për Belotin. Bëmë një gabim individual dhe sipas meje gjyqtari me shumë bujari i dha penallti dhe nga aty ndryshoi ndeshja. Dua të them se regjistroi 15 faulle Shqipëria, 14 Italia, 5 kartonë për ne, 0 për Italinë.
Kur kaluam në disavantazh, ndryshuam sistemin, pa bërë ndryshime. Në fund kaluam në 4-2-3-1 për të shfrytëzuar karakteristikat e individëve. E vetmja gjë është që pësuam këtë gol të dytë në një mënyrë të lehtë që nuk më pëlqen dhe që i jep një vlerë tjetër humbjes në një ndeshje ku djemtë duhej të meritonin më shumë. Finalja e ndeshjes ishte në rritje, i krijuam disa probleme Italisë. Ishte pozitive që debutuan dy djem që janë padyshim dy djem për të ardhmen. Në pikëpamjen teknike dhe taktike ishte paraqitje pozitive, ajo që mungon është rezultati. Por ka rëndësi që luajtëm ndaj një skuadre që ka më shumë cilësi taktike e teknike pa zhgënjyer përballë tyre”.
Ne lidhje me zhvillimet e fundit: Xhaka iku se ka disa probleme. Abrashi iku se ka probleme fizike dhe kthehet në klub dhe ka problem me gjurin e djathtë që nuk e lejon të aktivizohet. Ndaj edhe mbrëmë qëndroi në pankinë. Për ndërprerjen e ndeshjes do të thoja që do të më pëlqente të kuptoja atë se pse pas asaj gjëje të bukur që bëmë të gjithë bashkë, lojtarë, tifozë, në Europian, në të gjithë rrugën, nuk e di pse mbrëmë ndodhi kjo. U ndjeva shumë keq, mbrëmë përveç rezultatit pata si ndjesi të keqe edhe këtë që nuk e prisja, ishte një plagë e thellë, se e di që shpirti i tifozëve, sidomos atyre kuqezi, është të jenë gjithmonë me skuadrën”, – theksoi trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi.


Duke kontrolluar karten...