De Biasi në konferencë: Do të provojmë shanset tona - FSHF

De Biasi në konferencë: Do të provojmë shanset tona

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes së të dielës ndaj Spanjës tha se skuadra kuqezi do të bëjë maksimumin për të marrë një rezultat pozitive dhe se nuk ka frikë nga emri i rivalëve.

“Nuk e di sa shanse ka që Shqipëria të fitojë ndaj Spanjës, pasi diferencat janë mjaft të mëdha. Jemi një skuadër që u kualifikua në Europian për herë të parë dhe u eliminuam në mënyrë të pafat prej fazës së grupeve. Por, në futboll, kurrë mos thuaj kurrë. Ne do të provojmë shanset tona, duke luajtur në mënyrë inteligjente dhe të kundërsulmojmë. Nuk besoj se dikush mund të thotë që Spanja do të fitojë me siguri: edhe dy vjet më parë në Portugali nuk na jepnin shanse, megjithatë atje fituam ne. Ky është futbolli”, – deklaroi numri një i stolit kuqezi para gazetarëve.

Duke folur për mënyrën se si do të luajë përfaqësuesja shqiptare përballë ish-kampionëve të Botës dhe Evropës, trajneri De Biasi e shpjegoi me nota humori, teksa tha se rreshtimi i ngjeshur në mbrojtje imponohet nga kundërshtari.

“Nuk e di nëse do të kemi një autobus aq të madh sa të mbulojë të gjithë portën. Për më tepër do të nevojitej një autobus pa rrota, sepse rrezikon që edhe në atë pak hapësirë që ekziston, ta pësosh. Gjithsesi, rreshtimi i ngjeshur në mbrojtje nuk është çështje zgjedhjeje, por diçka e tillë të imponohet nga loja e kundërshtarit”, – shtoi tekniku kuqezi.

Më tej, Gianni De Biasi u ndal te objektivat që ka skuadra në këto eliminatore, teksa u pyet nëse do ta vazhdojë mrekullia pas kualifikimit në Kampionatin Europian.

“Besoj se kemi mundësi ende që të rritemi. Është normale që pas një kualifikimi historik si ai i yni, tani të kërkojmë më tepër. Duhet të kemi parasysh që Spanja është shumë më e mirë se ne, por do të luajmë me dinjitet dhe krenari, duke shpresuar që pas ndeshjes do të flasim rreth një rezultati pozitiv”, – theksoi trajneri.

Në fund, tekniku italian i bëri edhe një analizë Spanjës, që ndonëse ka një grup plot yje, nuk po arrin të ngjitet më në majat e futbollit botëror, siç bënte vite më parë duke fituar gjithçka.

“Edhe unë e pyes veten si është e mundur që një skuadër e cila e mban kaq shumë topin dhe krijon mjaft raste për shënim, nuk e fiton ndeshjen, madje në fund rrezikoi të humbiste. Ne nuk jemi Italia, por një skuadër më e vogël. Spanja ka një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh dhe mbylli një epoke të artë me Del Bosque-n, një njeri dhe trajner të madh. Tashmë në krye të ekipit është Lopetegui dhe kanë ardhur sinjale të rivitalizimit të lojtarëve, që gjithsesi shpresojmë mos ta shohim shumë në ndeshjen me Shqipërinë”, – tha ndër të tjera Gianni De Biasi në konferencën për shtyp.