De Biasi: Ia dhuruam fitoren Spanjës - FSHF

De Biasi: Ia dhuruam fitoren Spanjës

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, shprehu keqardhjen për humbjen e pësuar ndaj Spanjës. Tekniku italian deklaroi në konferencën për shtyp se skuadra luajti mirë në pjesën e parë, por më pas u ndëshkua nga gabimet. “E dhuruam fitoren në një farë mënyrë, pasi besoj se në pjesën e parë luajtëm me një farë rregulli, nuk u lamë shumë hapësira spanjollëve. Por në pjesën e dytë bëmë një gabim në rinisjen e aksionit dhe me mbrojtjen lart humbëm topin. Aty edhe një skuadër me më pak kualitet se Spanja të ndëshkon. Gjëja më e trishtë është që e bëmë golin vetë, pasi skuadra ndoshta meritonte të pësonte gol në një mënyrë tjetër”, – deklaroi De Biasi pas ndeshjes. Më tej, trajneri kuqezi Gianni De Biasi vlerësoi kundërshtarët dhe theksoi se lojtarët tanë u munduan të bënin më të mirën ndaj një Spanje me yje të shmtë në grup. “Mendoj se Spanja është skuadra më e mirë në Botë. Besoj se atë që duhet të bënim e bëmë. Italia kundër tyre gjuajti në portë në të 57-ën, për të kuptuar se çfarë dimensioni është Spanja. Nëse mendonim se jemi në nivelin e tyre jemi jashtë binarëve. Duhet të jemi të fortë në kontrast me kundërshtarin, duhet të lëmë fintet dhe t’ua lëmë atyre që janë më të zotë t’i bëjnë ato”, – shtoi De Biasi, teksa në fund shprehu bindjen se kjo humbje nuk do të ketë ndikim te kuqezinjtë. “Nuk ndikohem, pasi nuk mendoj që kemi kundërshtar Spanjën. Ne duhet të punojmë mbi aftësitë që kemi”, – tha tekniku.