De Biasi: Episodet nuk shkuan në favorin tonë - FSHF

De Biasi: Episodet nuk shkuan në favorin tonë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, shprehu keqardhjen për humbjen, ndërsa pas ndeshjes nuk komentoi vendimet e gjyqtarit, por theksoi se goli i parë dhe 11-metërshi ndikuan shumë në rezultatin e ndeshjes. “Nuk dua të kapem me arbitrin. Që para ndeshjes kisha thënë se do ishte ndeshje e vështirë. U ndëshkuam në momentin e parë pas penalltisë që ndryshoi fatin e lojës. Nuk e kam ndryshuar skemën, sepse Kukeli bëri një ndeshje fantastike, ashtu si në ndeshjen me Zvicrën kur mbetëm me 10 futbollistë. Pas kartonit të dytë të kuq dhe golit të dytë, u mundova të fusja një sulmues për të rihapur ndeshjen, por episodet na ndëshkuan sërish. Skuadra më pëlqeu më shumë me 10 lojtarë se me 11”,- tha numri 1 i stolit kuqezi.Më tej, tekniku u shpreh se episodet që vendosën takimin ishin kundër Shqipërisë dhe se fat ishte kundër tanëve në këtë sfidë delikate. “Ka qenë ndër ndeshjet më të çuditshme. Episodet nuk shkuan në favorin tonë. Patëm një episod shumë të mirë me Llullakun,por fati nuk ishte me ne. Ishte një ndeshje që e përcaktuan episodet. Përballë Izraelit me 10 lojtarë ishte e vështirë. Ju e njihni këtë skuadër por unë e njoh më mirë. Zhvilluam një lojë të dobët dhe duhet të kishim bërë ndryshe pasi kishim një skuadër teknikisht të fortë”, – ka deklaruar De Biasi pas ndeshjes.