Ish-futbollist profesionist (1993–2005), me karrierë në ekipe në Shqipëri, Greqi dhe Kosovë. Është i njohur veçanërisht për lidhjen e tij me Vllazninë, ku ka luajtur në disa periudha dhe me të cilën është shpallur kampion i Shqipërisë në sezonin 1997–1998.
Si trajner, Cungu ka drejtuar disa skuadra në elitën e futbollit shqiptar, përfshirë FK Kukësi (2012–2013 dhe 2018–2019), ku spikat angazhimi i tij në arenën europiane në verën e vitit 2013, kur udhëhoqi ekipin në kualifikueset e UEFA Europa League. Ai ka drejtuar gjithashtu KF Laçi (2014–2015 dhe 2019–2020), me të cilin është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë dhe i Superkupës. Po ashtu, për dy vite ka qenë trajner i Vllaznisë (2016–2018).
Në nivel përfaqësuesesh, ka qenë trajner i Kombëtares U-19 (2021–2022), duke e drejtuar skuadrën në ndeshje kualifikuese europiane, si dhe më herët ka drejtuar edhe U-17 të rajonit të veriut (2010–2011). Profili i tij ndërthur përvojën si lojtar dhe drejtues teknik, së bashku me formimin në edukim fizik dhe kualifikimet UEFA, duke sjellë një qasje të orientuar drejt profesionalizmit dhe rritjes së standardeve të futbollit shqiptar.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit më 16 shkurt 2026 u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
















