Cikalleshi & Veseli flasin për mediat: Kemi bërë analizën e duhur, të shënojmë ndaj Izraelit e të marrim tre pikët! - FSHF

Cikalleshi & Veseli flasin për mediat: Kemi bërë analizën e duhur, të shënojmë ndaj Izraelit e të marrim tre pikët!

Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy sfidat e fundit të vlefshme për Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit në transfertë (24 shtator) dhe në ‘Air Albania’ ndaj Islandës (27 shtator). Që prej ditës së diel, kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin në kompleksin ‘Tropikal’ në Durrës, teksa mbrëmjen e së martës, ekipi është kompletuar i gjithi dhe tashmë është në dispozicion të trajnerit Reja dhe stadit kuqezi.

Në konferencën e zakonshme për media, ditën e sotme kanë dalë dy futbollistët e Kombëtares, Sokol Cikalleshi dhe Frederic Veseli, të cilët i janë përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me këto dy përballje të rëndësishme të skuadrës kuqezi.

Sokol Cikalleshi, sulmuesi shqiptar i cili ka nisur tashmë një episod të ri në karrierën e tij, duke u transferuar në Arabinë Saudite u shpreh se e rëndësishme për grupin është që të ketë harmoni dhe të jetë i plotë. Ai theksoi se skuadra ka parë gabimet e ndeshjes së kaluar dhe gjatë seancave stërvitore dhe përgatitjeve po përmirësohen. Izraeli nuk është një ekip i pakalueshëm sipas Cikalleshit, i cili merr në konsideratë edhe ndeshjet e kaluara, ku Shqipëria ka fituar në transfertë.

Golat na kanë munguar, çfarë ndryshon në Izrael? – Këtë javë po punojmë shumë edhe në këtë aspekt. Mendoj që po bëjmë më të mirën për momentin, edhe pse grupi nuk është i plotë. Shpresoj që të bëjmë ndeshjen që të gjithë kërkojmë dhe të arrijmë të marrim rezultatin që na dërgon në realizimin e objektive që kemi.

Sulmues i vetëm apo me shokë? – Më mirë është të luaj me dy sulmues, pasi kur ke një partner afër, mundësia për të shënuar është më e madhe. Duke qenë se gjithë kohës kemi luajtur me dy sulmues, besoj se do të vazhdojmë të luajmë kështu. Më e rëndësishme për mua është që të jemi një grup i plotë dhe në harmoni me njëri-ttjetrin, pasi vetëm kjo na çon në rezultate pozitive.

Reflektimi i skuadrës lidhur me sfidën e parë ndaj Izraelit – Problemi i ndeshjes së fundit është që kemi bërë gabime që mund të evitoheshin. Për këtë gjë po punojmë dhe kemi bërë edhe analizat me video, ku i kemi parë këto gabimë dhe besoj se do t’i përmirësojmë. Kemi përballë një kundërshtar të vështirë, jemi në një grup më të vështirë se më parë. Duhet të bëjmë më të mirën në aspektin taktik, duke mos pësuar gol dhe pastaj me aftësitë që kemi të arrijmë të shënojmë dhe të marrim tre pikët.

A e prisja ftesën nga stafi? – Tashmë jam pak larg, në Arabi. Jam për një vit atje, nuk e di a do të vazhdoj apo jo atje. Po provoj një aventurë të re, kam kontratë me Koniasporin për dy vite. Mund të rikthehem sërish në Turqi. Në momentin që trajneri mendon se mund të shërbej në kombëtare si brenda dhe jashtë fushe, unë do të jem gjithmonë i gatshëm për kombëtaren. Është pak larg, por në këto raste vlen performanca në fushë dhe nëse do të arrij të shënoj dhe të kem performancë të mirë, besoj se ftesa nga kombëtarja nuk do të mungojë. T’ia lëmë kohës. Uroj të ambientohem dhe të gjej rrugën e rrjetës sa më shpejt.

Çfarë strategjie do të ndjekim për të fituar ndaj Izraelit? – Është një ndeshje e vështirë, po të shikojmë edhe ndeshjet e kaluara, kemi arritur të fitojmë edhe në Izrael. Edhe atëherë, kundërshtari ka qenë i vështirë. Trajneri po i shikon të gjitha mundësitë. Ndoshta mund të ndryshojë edhe skemën për të qenë më ofensivë. Na hyn në punë vetëm tre pikëshi, do t’i shikojmë të gjitha. Do të ketë ndryshime, duke parë edhe lojtarët që na mungojnë. Jam i sigurt që trajneri do të bëjë më të mirën për këtë pjesë për të dalë në fushë me të gjitha mundësitë tona më të mira, si nga ana taktike dhe fizike e lojtarëve.

Eljon Toçi, një ‘Cikalleshi i ri’? – Për çdo element të ri që vjen në kombëtare është një ogur i mirë sepse rrit konkurencën. E kam parë pak në stërvitje, duket që është një lojtar me potencial që mund t’i shërbejë kombëtares. Ka kohë për t’u përmirësuar, duhet të bëjë më të mirën te klubi që është dhe të shënojë sa më shumë. Vendin në Kombëtare do ta ketë dhe në momentin që e meriton do të jetë edhe në fushë. Duke qenë një djalë i ri, le mos ta krahasojmë me Cikalleshin, por të bëhet më i mirë se Cikalleshi dhe të bëjë karrierën e tij.

Frederic Veseli, mbrojtësi kuqezi tha në fjalën e tij se pavarësisht mungesave, skuadra shqiptare i jep më shumë rëndësi grupit sesa mungesave individuale. Veseli theksoi se humbja ndaj Izraelit në shtëpi erdhi për shkak të gabimeve individuale, por shpreson që kjo të përmirësohet në ndeshjen e radhës në transferte.

Mbrojtësi foli edhe për të rinjtë në kombëtarem të cilët i sheh me shumë potencial dhe cilësi.

Mbrojtje e fortë ndaj Izraelit, sa do t’i vuajmë mungesat e Kumbullës dhe Gjimshitit? – Janë mungesa shumë të rëndësishme, por edhe herë të tjera kemi pasur mungesa. Pavarësisht nga ky aspekt, ne nuk i japim shumë rëndësi lojtarëve individual, por i japim rëndësi grupit. Jemi të përqëndruar të bëjmë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv, na vlen vetëm tre pikëshi dhe fitorja.

Veseli, më mirë në qendër apo në krah? – Ndihem më mirë në qendër, kam disa vite që luaj në këtë pozicion. E kam plotësuar mungesën edhe në krah kur ka pasur nevojë. Kam cilësi edhe kapacitetin fizik për të plotësuar këto pozicione, por roli im është qendërmbrojtës dhe ndihem mirë në qendër.

Benevento? – Më kërkuan me ngulm. Duan të rikthehen në Serinë A. I kam fituar dy kampionate në Serinë B me Empoli dhe Salernitana. Nuk isha në gjendje të mirë në Salerno, për shkak të sezonit të kaluar ku kam pasur disa vështirësi me lëndime dhe diskutime me trajnerin. M’u dha mundësia të kaloja te Benevento dhe vendosa të kaloj.

Çfarë duhet të kemi kujdes në mbrojtje në sfidën ndaj Izraelit? – Edhe në shtëpi, ndaj Izraelit kemi bërë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv. Na ka ndikuar shumë edhe gabimet individuale që mund të ndodhin. Me analizat që kemi bërë, kemi parë që gabimet individuale ishin më të rëndësishme. Izraeli nuk bëri ndonjë gjë spektakolare për të fituar. Humbja ka ardhur nga ne. Besoj se duhet që çdo lojtar të marrë përgjegjësi nga performanca individuale dhe të japë maksimumin në grup, për të bërë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv. Na mjafton të bëjmë një gol më shumë sesa të pasojmë dhe për këtë punë, trajneri është këtu dhe e vendos ai.

Mentaliteti i të rinjve krahasuar me ‘të vjetrit’ – Të rinjtë që vijnë në Kombëtare kanë shumë ambicie, shihet se secili lojtar rritet në klube më të mëdha se më herët. Kemi një skuadër me shumë cilësi dhe një ekuilibër me lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj. Besoj që Shqipëria mund të bëjë vetëm përpara. Çdo lojtar që vjen këtu edhe nëse është i ri, me moshë i ka cilësitë dhe kualitetet për të luajtur ndeshjet.