Skënderbeu ka marrë të enjten trofeun e ekipit kampion të Kategorisë Superiore gjatë një ceremonia madhështore të zhvilluar në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës. Në ceremoninë e zhvilluar një ditë pas mbylljes së kampionatit, ishin të pranishëm shumë personalitete të klubit Skënderbeu, të ftuar, drejtues të FSHF-së si edhe mijëra tifozë korçarë që kishin mbushur shkallët e stadiumit.
Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku ai që ka dorëzuar trofeun, pasi lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit ishin ngjitur një nga një në podium për t’u nderuar me medaljen e artë të Kategorisë Superiore. Pas pjesës zyrtare, ceremonia ka vijuar me festën teksa në skenë është ngjitur këngëtari Klajdi Haruni, i cili ka ndezur atmosferën në stadium.
Po në këtë mbrëmje, sulmuesi Hamdi Salihi ka marrë trofeun e Këpucës së Artë, pasi e mbylli sezonin me 27 golatë shënuar.
Një moment i veçantë i festës ishte edhe përshëndetja për herë të fundit me tifozët korçarë si futbollist e kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili vendosi në fund të këtij sezoni të varë këpucët në gozhdë. Ky ishte titulli i gjashtë kampion radhazi për Skënderbeun, që ka vendosur kështu një rekord.
















