Bushi në prag të Austrisë & Andorrës: E nisim mbarë, dua vendin e tretë në grup - FSHF

Bushi në prag të Austrisë & Andorrës: E nisim mbarë, dua vendin e tretë në grup

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka dalë sot në një konferencë për shtyp në prag të dy ndeshjeve eliminatore të EURO 2021 ndaj Austrisë dhe Andorrës. Pasi ka publikuar listën e 22 futbollistëve të grumbulluar, tekniku i ekipit kombëtar Shpresa ka folur për pritshmëritë që ka për këto dy sfida dhe për problematikat që ka hasur për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndeshja e parë e kombëtares tonë U-21 do të jetë kundër Austrisë në datën 4 shtator në transfertë dhe më pas rikthehet të luajë në datën 8 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Andorrës.

“Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme si me Andorrën ashtu edhe me Austrinë. Jemi në një kohë shumë të vështirë, kohë pandemie që të gjithë lojtarët nuk janë në formën maksimale të tyre, disa janë me stërvitje, disa janë pa stërvitje; disa janë me ndeshje, disa janë pa ndeshje, por jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi marrë dhe shumë lojtarë që do të jenë edhe për sezonin tjetër, datëlindja 2000 dhe 2001”, – tha fillimisht Bushi, teksa në vijim iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

– Janë grumbulluar edhe futbollistë të Teutës apo edhe Tiranës, të cilët kanë edhe Superkupën tani pranë. Ata do të grumbullohen direkt me ekipin Kombëtar U-21 apo do të bashkohen me ju pasi të kenë përfunduar Superkupën me klubet?

Kemi folur me drejtuesit e tyre që të paktën mos të kenë shumë minuta, të marrin pjesë në Superkupën e Shqipërisë, se gjithsesi edhe ajo është e rëndësishme, por mos të kenë shumë minuta. Sepse ngarkesën e kanë pasur shumë të madhe, si në kupat e Europës gjithashtu edhe në Superkupë, plus do të kemi edhe dy ndeshje me ekipin U-21, por shpresojmë që të mos dëmtohen dhe të kenë formën më të mirë që do të vijnë në grumbullim. Do të jenë pjesë e Superkupës.

– Pse mungon Armando Broja në listë, a do të jetë ai me ekipin e parë?

Mendoj që ne kemi shumë sulmues, kemi parë edhe për sulmues që t’i kemi edhe për sezonin tjetër. Gjithsesi, Broja është tani një lojtar i afirmuar dhe mund të jetë edhe ai pjesë e ekipit kombëtar A për dy ndeshjet e ardhshme.

– A e bën gjumin e qetë Alban Bushi duke parë që realisht kemi një brez të mirë shqiptarësh që po rriten si në Shqipëri edhe jashtë vendit apo ky fakt e shton edhe më tepër presionin te ju për të marrë rezultate?

Jo, presionin absolutisht që jo, por patjetër mendojmë dhe jemi të lumtur që kemi shumë lojtarë të mirë. Unë nuk dua të flas vetëm për U-21, por për të gjithë moshat e Shqipërisë sidomos për ekipin kombëtar A që mendoj se do të ketë një ekip jashtëzakonisht të mirë, një ekip që nuk e ka pasur ndonjëherë ne historinë e saj, për sa i përket edhe alternativave që do të ketë dhe moshën e re që ka dhe lojtarëve të rinj që po i vijnë nga poshtë.

Në qoftë se shohim Kombëtaren A sot, janë 15-16 lojtarë të moshës 22-23 vjeç, që Shqipëria do i ketë për 10-15 vitet e ardhshme, plus edhe lojtarët që do i vijnë nga U-21, U-19, U-17, U-15 që po bëhet një punë shumë e mirë mendoj unë. Do të kemi një ekip shumë të fortë dhe do të pretendojmë jo vetëm kualifikimin në Europian, por akoma edhe më lart.

– Vjet, në një farë forme ekipi Shpresa u dëmtua nga Kombëtarja A për shkak se ju e furnizoni gjithmonë. Sivjet si duket situata dhe sa reale janë pretendimet për rezultate, kualifikim? Sa i bindur jeni vetë me lojtarët që keni grumbulluar? Sa shpresëdhënës janë këta?

Është e vërtetë që e kemi furnizuar shumë Kombëtaren A dhe ka pasur shumë nevojë, pasi ka kaluar një periudhë tranzicioni. Por gjithsesi edhe lojtarët që kemi marrë, pavarësisht se nuk kanë qenë të nivelit të lojtarëve që kanë ikur tek ekipi i parë, se kanë qenë edhe moshë më e vogël, por kemi qenë shumë të kënaqur, sepse kemi pasur gjithmonë një ekip kompetitiv, një ekip që nuk është ç’disiplinuar në lojën që kemi bërë.

Ne kemi bërë gjithmonë lojëra të mira, unë kam qenë gjithmonë shumë i kënaqur me ata, por rezultatet na kanë munguar, pavarësisht se lojën i kemi bërë të mira, por gjithsesi për këtë sezon ne kemi si objektiv vendin e tretë. Kemi dy ndeshje tani me Austrinë dhe Andorrën, por gjithsesi Austria është më e rëndësishme. E dimë forcën e Austrisë që është ekip shumë i fortë, ka 7-8 lojtarë që kanë marrë pjesë në kualifikueset e Champions League.

Ne kemi një ekip të ri, sa i përket afrimeve të reja që kemi marrë këtë radhë, por gjithsesi jam shumë i bindur që do bëjmë një lojë shumë të fortë me Austrinë, do të marrim rezultat pozitiv. Gjithashtu edhe me Andorrën duhet të marrim rezultat pozitiv patjetër, sepse pretendojmë vendin e tretë në grup.

– Alban, përmende pak në fillim të paktën te lista, te përzgjedhja dhe ekipi që janë në dispozicion, situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Nuk e di nëse lojtarët e Shpresave, e kanë bërë tamponin apo do ta bëjnë përpara këtyre ndeshjeve. A ka pasur ndonjë problem me lojtarët aktualisht? Kanë qenë disa lojtarë titullarë të padiskutueshëm në ekipet e tyre dhe befas kemi dy javë që nuk i shohim. Ka probleme aktualisht në kombëtaren Shpresa me të prekurit nga COVID-19?

Kemi probleme lojtarësh, jo se kanë qenë direkt të prekur me COVID-19, por kanë qëndruar me të prekur me virusin dhe i janë nënshtruar edhe ata karantinës, siç janë lojtarët Çokaj dhe Mersinaj. Shpresojmë që Mersinaj të na vijë, kurse Çokaj nuk do të vijë pasi vazhdon ende karantinën atje, kjo nuk është diçka e mirë për ekipin tonë, pasi është një nga lojtarët kryesorë.

Por gjithsesi jemi shumë mirë me grupin dhe lojtarët e tjerë, pasi bëmë sot testin nëse e kemi kaluar apo jo. Do të bëjmë edhe dy ditë para se të ikim në Austri, në datën 1 dhe shpresojmë të mos e kemi dhe të ikim një grup i kompletuar për të marrë një rezultat shumë pozitiv.

– Shohim dy futbollistë që vijnë nga Kategoria Superiore. Vijon të jetë prioritet për ju prodhimi vendas përpara elementëve që kanë të njëjtën cilësi dhe janë rritur jashtë? Keni deklaruar në konferencat e mëparshme që nëse do të keni dy futbollistë, një që luan në Kategorinë Superiore dhe një që luan jashtë, prioritet do të ketë ai që luan këtu. Vijon të jetë kjo politikë ende për ju?

Ai që është më i mirë, ai duhet të vijë. Kur janë të dy njësoj, pse mos të marrim këtë nga kampionati vendas, por gjithsesi i kemi dhënë mundësi edhe atyre nga kampionati i huaj sepse shqiptarë janë edhe ata. Nga kampionati vendas ne duhet të marrim, sepse janë lojtarë që e meritojnë, janë lojtarë thuajse të gjithë të formacionit, që kanë bërë shumë mirë në kupat e Europës, siç janë lojtarët e Tiranës, Laçit.

Pavarësisht se edhe Kukësi ka bërë shumë mirë, por gjithsesi nuk është se kemi lojtarë në Kukës sepse nuk ka mosha të vogla (për moshën që kemi ne). Jam shumë i gëzuar për këtë, po e shohim se kampionati i Kategorisë Superiores të jep akoma një motiv më të madh dhe që ne të shpresojmë.

Derisa i kemi këto rezultate pozitive në kupat e Europës, duke përballuar me kundërshtarë më të fortë se ne në letër pavarësisht se në fushë nuk është dukur kështu, edhe ne jemi më shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë.

Lojtarët që kemi grumbulluar në kampionatin shqiptar janë pothuajse datëlindja 2000, 2001 dhe janë për sezonin tjetër, pavarësisht se ne i kemi grumbulluar këtë sezon. Kështu që për sezonin tjetër, me U-21 do të kemi një ekip shumë të fortë.

– Thatë pak më parë se pandemia ka ndikuar në futboll, por me atë që pamë mbrëmë dhe në ndeshjen me Tiranën, kemi vënë re që ekipet shqiptare duket sikur në njëfarë mënyre i ka favorizuar kjo pandemi, për shkak të ndërprerjes së kampionatit dhe më pas vijueshmërinë dhe përmbylljen e sezonit. Mendoni se kjo është një shenjë e mirë sa i përket ekipit U-21 duke parë edhe formën e lojtarëve të ekipit të shpresave?

Ne kemi një futboll që luajmë me shpirt, luajmë me zemër dbe kjo është shumë e rëndësishme, në një kohë pandemie, në një kohë ku nuk ka tifozë në stadium gjithnjë mendoj unë favorizohen ekipet e vogla, sepse ndihen inferiorë dhe mundohen të japin maksimumin kurse ekipet e mëdhaja duan një farë motivimi, të cilin nuk e kanë, sepse stadiumi është bosh, por varet gjithsecili sesi e mendon atë pjesë.

Ne na doli për mirë, sepse të gjitha ekipet shqiptare do të vazhdojnë të luajnë në kupat e Europës. Unë i kam parë lojtarët dhe jam munduar të marr lojtarët që kanë stërvitje dhe kanë ndeshje në këto dy takime. Mendoj që kemi bërë zgjedhjen më të mirë, pavarësisht se ka lojtarë të tjerë që nuk na vijnë për arsye dëmtimesh, që edhe ata ishin lojtarë të rëndësishëm. Por gjithsesi këta që janë, mendoj se do bëjnë më të mirën.

– A do të reflektohet paraqitja e mirë e ekipeve shqiptare dhe e disa prej lojtarëve që ju keni grumbulluar edhe në zgjedhjet që ju do të bëni për të qenë pjesë e formacionit?

– Po patjetër që po, dhe unë jam shumë i gëzuar për këtë, sepse kishim tre lojtarë të Tirana siç ishin Ismajlgeci, Çelhaka dhe Muçi që janë lojtarë shumë të mirë, pavarësisht se Ismajlgeci nuk luajti këtë takim, por luajti në takimin që bëri Tirana në Tbilis, që besoj se do të jenë lojtarë formacioni në ndeshjen e ardhshme.

Por gjithashtu edhe lojtarë si Vila, Xhixha, Shehu janë lojtarë që kanë krijuar njëfarë besimi sepse nuk është kollaj që të kalosh në kupat e Europës, të kalosh ato ekipe që kanë një buxhet më të madh se buxhetet e kampionatit tonë. Kjo na bën shumë optimist, sepse përderisa luajtëm mirë, kanë minuta në këmbë, pse jo mos të shkojmë në Austri për të marrë një rezultat pozitiv sepse edhe ndeshja është në favor për ne që është “pa tifozë”. Mendoj që do të jenë në formën e duhur edhe këta.

– Shpesh për të mos thënë gjithmonë në konferenca për shtyp keni përmendur mungesën e qendërmbrojtësve, ose më saktë, mungesën e minutave te lojtarët e mbrojtjes. Dhe lidhur me këtë dua të them, shohim Jurgen Çelhakën që ka bërë një sezon si një qendër mesfushor, ndërkohë që këtu është llogaritur mbrojtës. Në të kaluarën ai e ka bërë edhe mbrojtësin e krahut. Kjo e kushtëzuar nga mungesat e lojtarëve me minuta në mbrojtje?

Për mbrojtës, po të shikoni edhe listat unë nuk ndihem shumë përsa i përket repartit të mbrojtjes, janë vetëm 5 mbrojtës , 4 duhet të luajnë dhe një duhet të jetë në pankinë, gjë që nuk është normale sa i përket një ekipi kombëtar por edhe një ekipi të Superligës apo çfarëdolloj kategorie. Por këto kanë qenë mundësitë tona për momentin, nuk doja t’i thoja sepse nuk doja të justifikohesha që ne nuk kemi mbrojtës.

Kemi menduar që lojtarët që i përshtaten, pavarësisht se janë mesfushorë si Çelhaka, mund t’i alternojmë me lojtarët e tjerë dhe mund t’i aktivizojmë edhe në mbrojtje por gjithsesi atje do të bëjmë një lojë të mirë, një lojë jo vetëm në mbrojtje. Kemi mesfushorë, kemi sulmues, do mundohemi të luajmë në sulm, por duke u mbrojtur gjithë kohës kur ekipi kundërshtar ka topin, të jemi 11 veta gjithmonë mbrapa topit ashtu siç kanë qëndruar ekipet shqiptare pothuajse në këto ndeshje, sepse këto mundësi kemi. Kemi shumë mungesa në mbrojtje, kemi Tafën, kemi Malokun, Mersinaj nuk e di a do të vijë, janë lojtarë që janë shumë të rëndësishëm për ne, kanë qenë gjithë sezonin, por kjo pandemia i ka lënë ekipet pa stërvitje dhe ne nuk i kemi marrë.