Botërori “Katar 2022” / Shqipëria mundet nga Polonia në “Air Albania” - FSHF

Botërori “Katar 2022” / Shqipëria mundet nga Polonia në “Air Albania”

Kombëtarja shqiptare është mundur me rezultatin 1-0 nga Polonia në sfidën e luajtur të martën mbrëma në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë sfidën, teksa që në pjesën e parë të takimit krijuan disa raste, fillimisht me Rey Manaj, i cili në minutën e 9-të të ndeshjes provon të gjuajë nga brenda zonës por topi pengohet nga trupi i kundërshtarit polak, që largon rrezikun nga zona e tij. Ekipi ynë kontrollon mirë lojën në disa momente, duke treguar kujdes.

Me nisjen e pjesës së dytë të ndeshjes, trajneri Reja nuk bën asnjë ndryshim në fushë. Loja nis e vrullshme, me kuqezinjtë që tentojnë me Roshin nga brenda zone, i cili dërgon topin drejt qendrës, aty ku ishte Myrto Uzuni, por që shkelmohet nga kundërshtari, me topin që shkon në këmbët e Hysaj, i cili shkakton një faull. Në minutën e 58-të, trajneri Reja hedh në sulm Armando Brojën, autorin e tre golave në tre ndeshjet e fundit të Kombëtares, duke nxjerrë nga fusha Myrto Uzunin, ndërsa 7 minuta më vonë, futet edhe Ermir Lenjani në vend të Lorenc Trashit.

Polakët kaluan në avantazh në minutën e 76-të të takimit, pas një goli të Swiderskin, që shënoi golin e vetëm të sfidës që vlente 3 pikë. Pas këtij goli, pati një ndërprerje të takimit nga ana e gjyqtarit për shkak të hedhjes së sendeve në fushë. Pas konsultimeve, francezi mori vendimin që skuadrat të ktheheshin sërish në fushën e blertë.

Menjëherë pas sinjalizimit se loja do të rifillonte, tekniku kuqezi hodhi në fushë Nedim Bajramin dhe Enis Ccokaj, ndërsa del nga fusha Keidi Bare dhe Odise Roshi. Në minutat e fundit të takimit, Broja tenton dy herë brenda zonës kundërshtare, por pa arritur të finalizojë.

Sfida mbyllet kështu me rezultatin final 0-1 për polakët, të cilët ngjiten në vendin e dytë me 17 pikë, ndërsa Shqipëria zbret në vendin e tretë me 15 pikë.

Shqipëri  – Poloni 0-1

Golat: Swiderskin 76’

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Bare, Ramadani, Trashi, Uzuni, Manaj, Roshi.

Trajner : Edoardo Reja

Polonia: Szczesny, Puchacz, Glik, Bednarek, Dawidowicz, Zielniksi, Moder, Krychowiak, Jozwiak, Buksa, Lewandowski.

Trajner: Paulo Sousa

× WhatsApp