Botërori i Futsallit / Kombëtarja, test final në Kosovë para ndeshjeve në Suedi - FSHF

Botërori i Futsallit / Kombëtarja, test final në Kosovë para ndeshjeve në Suedi

Kombëtarja shqiptare e Futsallit ndodhet që prej ditës së diel në Prishtinë, ku po përgatitet intensivisht për ndeshjet e fazës para-eliminatore të Botërorit të Futsallit 2024. Të gjithë lojtarët e thirru janë në dispozicion të stafit teknik deri tani përgatitjet kanë vijuar normalisht.

Ndërkaq, të mërkurën Kombëtarja e futsallit ka zhvilluar një seancë stërvitore paradite dhe pasdite ka udhëtuar drejt Drenasit, ku ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e FC Liqenit, që është edhe kampionia në fuqi e Kosovës në futsall.

Trajneri Erind Resuli ka hedhur në fushë këtë formacion në nisje të miqësores: Alban Shiba, Roald Halimi, Arbër Shkodra, Halim Selmanaj dhe Azem Brahimi. Ndeshja ka qenë mjaft e bukur dhe kuqezinjtë kanë bërë një paraqitje pozitive, duke treguar një formë të mirë fizike e taktike. Gjatë ndeshjes tekniku ka aktivizuar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, ndërkohë që miqësorja ka përfunduar me rezultatin 3-3. Për Shqipërinë golat u shënuan nga Mejzini, Kryeziu dhe Shkodra. Testi ka qenë një mundësi shumë e mirë për stafin teknik që të shohë gjendjen aktuale të skuadrës para ndeshjeve zyrtare.

Mëngjesin e të enjtes përfaqësuesja kuqezi ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore dhe pasdite ka udhëtuar drejt Suedisë duke mbërritur në Stokholm, ku do të zhvillohen edhe ndeshjet e fazës para-eliminatore të Botërorit të Futsallit 2024.

Shqipëria është pjesë e Grupit E së bashku me vendasit, Andorrën dhe Austrinë. Më 9 prill, Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Andorrës, ndërsa një ditë më pas, më 10 prill do të ketë përballë Austrinë. Ndeshja e tretë dhe e fundit e kuqezinjve që do të përmbyllë këtë fazë do të jetë ajo ndaj vendit organizator, Suedisë, më 12 prill.


Duke kontrolluar karten...