Botërori i Futsalit / Shqipëria e mbylli me sfidën ndaj Suedisë fazën para-eliminatore - FSHF

Botërori i Futsalit / Shqipëria e mbylli me sfidën ndaj Suedisë fazën para-eliminatore

Shqipëria e Futsallit ka luajtur pasditen e sotme në Suedi ndaj përfaqësueses vendase ndeshjen e tretë dhe të fundit në kualifikueset e fazës para-eliminatore të Botërorit të Futsallit 2024, Grupi E. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli u mundën me rezultatin 4-0 nga Suedia, që ishte edhe rivali më i fortë i këtij grupi dhe vendi pritës i ndeshjeve të këtij grupi.

Kombëtarja shqiptare e futsallit e nisi lojën me këtë formacion: Da Silva, Shkodra, Azem Brahimi, Selmanaj, Halimi. Në stolin e rezervave ishin ulur Rrapi, Shiba, Shqipron Brahimi, Alimi, Hasaj, Rexhepaj, Kaca, Mejzini dhe Kryeziu.

Suedezët tregojnë që në fillim të sfidës forcën e tyre dhe kalojnë në avantazh më minutën e 7-të me anë të Gashit. Shqipëria përpiqet të reagojë dhe ngacmon jo pak herë portën kundërshtare, por pa arritur te goli. Me nisjen e pjesës së dytë Suedia dyfishon shifrat në minutën e 21-të me Zhubin dhe në minutën e 23-të e çon rezultatin në 3-0 pas një autogoli të Kacës. Në minutën e 27-të vjen edhe goli i 4-t i suedezët që realizojnë me Marrah.

Përfaqësuesja kuqezi nuk dorëzohet dhe tenton të godasë vazhdimisht portën suedeze, pavarësisht rezultatit. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe sfida mbyllet me fitoren 4-0 të Suedisë.

Shqipëria ishte pjesë e Grupit E së bashku me Suedinë, Andorrën dhe Austrinë. Shqipëria e mbylli Grupin E me 3 pikët e marra në sfidën e parë me Andorrën, teksa ndaj Austrisë u mund në sekondat e fundit 3-2.

 

Para-eliminatoret e Botërorit të Futsallit 2024, Grupi E

Shqipëri – Suedi      0-4

Golat: Gashi 7’, Zhubi 21’, Kaca 23’ (ag), Marrah 27’