Botërori 2023, Doçi & Elezaj: Jemi rritur si ekip, ftojmë tifozët të na mbështesin - FSHF

Botërori 2023, Doçi & Elezaj: Jemi rritur si ekip, ftojmë tifozët të na mbështesin

Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin dhe stërvitjet për ndeshjet eliminatore ndaj Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Nga grumbullimi në Elbasan, në një konferencë për mediat kanë dalë sot dy futbollistet, Megi Doçi dhe Endrina Elezaj, të cilat kanë folur në lidhje me objektivat e ekipit për këto dy ndeshje si dhe për synimin e skuadrës në tërësi, në lidhje me grupin F, ku në të njëjtin grup me Shqipërinë gjenden edhe Belgjika, Polonia, Norvegjia, Kosova dhe Armenia. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Kosovës më 16 shtator në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, ndërsa më 21 shtator do të luajë ndaj Belgjikës në transfertë.

Megi Doçi, në fjalën e saj u shpreh se objektivi i ekipit është të zhvillojë ndeshje të mira dhe shpreson që ndaj Kosovës, skuadra të marrë 3 pikët për ta nisur mbarë këtë fushatë të re eliminatoresh. Gjithashtu, ajo theksoi se grupi F është një grup i vështirë, me skuadra si Polonia, Belgjika e Norvegjia, por vajzat kuqezi premtojnë se do të luajnë gjithçka në këto ndeshje. Në fund, ajo i bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë, t’i bashkohen të enjten Kombëtares së femrave për t’i mbështetur.

Objektivi i ekipit në këto dy ndeshje – Objektivi ynë është të bëjmë ndeshje sa më të mira. Dihet që kemi një grup mjaft të mirë, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e ekipit Kombëtar është tek ekipi i Vllaznisë dhe kemi bërë ndeshje të mira me këtë ekip, mendoj se edhe këtu do të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë për të marrë rezultate pozitive. Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne, për të nisur mbarë këto kualifikuese. Do të futemi në fushën e lojës për të marrë një rezultat pozitiv, për të marrë 3 pikët dhe për të vazhduar kualifikueset mbarë.

Gjendja e ekipit – Mendoj se jemi në një gjendje mjaft të mirë. I gjithë grupi është i plotë. Po punohet shumë, si nga shoqet e ekipit, ashtu edhe nga stafi teknik.

Grupi F? – I dimë shumë mirë ekipet që kemi përballë, janë dy koka grupi si Belgjika dhe Norvegjia. Do rrezikojmë dhe do luajmë gjithçka ndaj tyre. Duhet ditur që ekipi ynë, nga viti në vit ka pasur rritje dhe kemi treguar që dimë të bëjmë lojë mjaft të mirë. Janë ekipe që kanë vite në futboll dhe dinë shumë mirë të luajnë, sidomos Belgjika, Polonia, Norvegjia. Mendoj se ekipi i ka të ditura objektivat e tij. Do të dimë mirë të shprehim mënyrën tonë të të luajturit dhe të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën për të marrë rezultate pozitive në çdo lojë.

Thirrje për tifozët – Do t’i bëja një thirrje të gjithë tifozëve këtu në Elbasan, pasi e kemi kthyer në arenën tonë. Të gjitha ndeshjet po i zhvillojmë këtu dhe do ishte një plus shumë i madh për ne që të jenë tifozët në stadium pasi është motivi kryesor për të bërë një ndeshje mjaft të mirë dhe për të marrë rezultate pozitive.

Edhe futbollistja tjetër e ekipit, Endrina Elezaj u shpreh se skuadra është përgatitur fort për këto dy ndeshje dhe theksoi se fokusi kryesor është ndeshja e parë ndaj Kosovës. Elezaj foli edhe për grupin, por tha se Shqipëria e femrave po rritet dita-ditës dhe se do të shpalosë të gjitha mundësitë me këto skuadra. Ajo ftoi të gjithë tifozët që t’i bashkohen në sfidën e parë ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”.

Synimi i ekipit për ndeshjet e shtatorit – Jemi përgatitur maksimalisht për këto dy ndeshje të radhës. Kemi punuar shumë fort, stafi ka punuar me ne dhe vazhdojmë të punojmë. Jemi një grup i mirë. Kemi lojtare mjaft të mira dhe kemi frymë të mirë në grup. Kemi ndeshjen e parë me Kosovën dhe fokusi ynë kryesor është kjo ndeshje. Me respektin maksimal për Kosovën, patjetër që kjo ndeshje ka shumë emocione, por kur hymë në fushë ne jemi profesioniste dhe si të tillë do ta trajtojmë çdo ndeshje që na vjen. Ndeshja e dytë është ndaj Belgjikës, që është një fuqi, por dhe ne do të shpalosim fuqitë tona. Uroj dhe besoj fuqishëm në sukses.

Si paraqitet gjendja e grupit? –  Gjendja e ekipit është mjaft e mirë. Ne kemi qenë në kontakt me stafin gjatë gjithë kohës dhe jemi të përgatitura maksimalisht. Siç thashë edhe më herët, kemi një frymë mjaft të mirë brenda ekipit. Besoj në sukses dhe në fitore.

Kundërshtarët? – Kemi një grup të vështirë, por do të shpalosim të gjitha mundësitë tona. Kuptohet që edhe ne, dita-ditës jemi rritur si grup. Tani jemi në vazon e katërt dhe uroj që të dalim sa më mirë dhe të fitojmë sa më shumë pikë brenda grupit.

Thirrje për tifozët – Një thirrje për të gjithë tifozët, të cilët i presim në “Elbasan Arena” për të na përkrahur fuqishëm.

× WhatsApp