Bojkoti i kampionatit, Liga e Futbollit nuk tërhiqet nga kërkesat e saj - FSHF

Bojkoti i kampionatit, Liga e Futbollit nuk tërhiqet nga kërkesat e saj

Liga Profesioniste e Futbollit zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme me anëtarët e saj, ku mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në këtë mbledhje u diskutua mbi vazhdimësinë e bojkotit të kampionatit pas reagimit të qeverisë dhe qëndrimi që do të mbahet në negociatat me qeverinë si edhe masat që duhet të merren në rastin e përshkallëzimit të protestave.

Në përfundim të mbledhjes Liga Profesioniste e Futbollit doli me një vendim unamim të dakordësuar nga të gjithë presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore .

Më poshtë vendimi i marrë në mbledhjen e Ligës Profesioniste të Futbollit:

1) Klubet nuk do ta ndërpresin bojkotin e kampionatit dhe nuk do rikthehen më në fushat e blerta deri në përmbushjen e plotë të katër kërkesave të tyre. Në datën 19 shtator bojkoti do zhvillohet, pasi skuadrat të zbresin në fushë, të rreshtohen, të lexojnë kërkesat e Ligës dhe të solidarizohen me to. Nuk presim premtime nga qeveria, presim përmbushje të katër kërkesave tona minimale.
2) Mirëpresim vullnetin e shprehur të qeverisë për bisedime.
a) Këto bisedime duhet të jenë tripalëshe: Qeveri-FSHF-Ligë.
b) Grupi përfaqësues i Ligës në bisedimet me qeverinë përbëhet nga presidenti i KF Apolonisë, Koço Kokëdhima, presidenti i KF Tiranës, Refik Halili dhe presidenti i FK Partizanit, Gazment Demi. Ne presim ftesën e qeverisë që këto bisedime të bëhen me të dhe në tryezat e saj.
c) Ne përshëndesim gatishmërinë, kontributin dhe përpjekjet e zotit z. Fidel Ylli për të përmirësuar kuadrin ligjor për sportet në Shqipëri dhe kemi besim se ai do mbetet i angazhuar për të mbështetur kërkesat tona. Për të biseduar me të Liga autorizon sekretarin e saj të përgjithshëm, z. Dritan Kadia.
3) Posterat e Ligës për bojkotin do bëhen publike nga dita e sotme.
4) U bëjmë thirrje komunitetit shqiptar të sporteve, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë shoqëror të bashkohen me kërkesat e Ligës dhe të mbështesin futbollin.
5) Mbledhja e radhës së Ligës do të zhvillohet në datën 21 shtator ora 11:00.