Asambleja Zgjedhore e 2 marsit, FSHF i dërgon anëtarëve materialet - FSHF

Asambleja Zgjedhore e 2 marsit, FSHF i dërgon anëtarëve materialet

Në kuadër të përgatitjeve për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të datës 02 mars 2022, FSHF vijon normalisht procedurat në bazë të statutit me anëtarët e saj për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor.

Pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF, i mbledhur sot më 17 shkurt 2022 duke filluar nga ora 11:00, që miratoi materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2022, Federata do të njohë anëtarët e Asamblesë me materialet dhe me rendin e ditës që do të shqyrtohen në këtë mbledhje. Gjithashtu, anëtarët do të njihen edhe me bilancin financiar dhe projekt-buxhetin, që do t’i propozohen Asamblesë për miratim, si edhe me emrat e kandidatëve për president dhe kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Komisioni i Verifikimit, që është organi përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, ka verifikuar ligjshmërinë e propozimeve dhe integritetin e kandidatëve të propozuar për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Ky komision ka dalë me vendimin se për postin e kandidatit për President të FSHF-së kanë marrë numrin e propozimeve të nevojshëm Armand Duka, Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova.

Po sipas këtij komisioni kandidatët për anëtar të Komitet Ekzekutiv  të FSHF janë 12, të cilët kanë marrë numrin e nevojshëm të propozimeve për të qenë zyrtarisht në garë me së paku 2 propozime. Lista e kandidatëve për anëtarë të KE-së është kjo: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Bardhyl Jera, Envi Hicka, Ermal Tahiri, Ervin Canollari, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu, Pano Xhixho, Vasil Bicaj dhe Ylli Ҫekiҫi.