Një prej personaliteteve më të mëdha në botën e trajningut modern, i mirënjohuri Arrigo Saki, ka takuar sot paradite në Hotel “Rogner” në kryeqytet, trajnerët e ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Ish-trajneri i suksesshëm i Milanit dhe kombëtares italiane, ka folur me Xhani De Biazin, Redi Jupin, Altin Rrakllin, Arjan Bellain, Nevil Deden, Vasillaq Zërin etj, në lidhje me punën e kryer deri më tani, problematikën që ka futbolli ynë. Ai ka vlerësuar arritjet e futbollit shqiptar, gjatë kësaj periudhe dhe ka folur edhe për eksperiencën e tij në trajning.
Më tej ai është përqëndruar në tre pika kryesore: A. Në mënyrën e organizimit të ekipeve italiane të moshave, e cila sot nga 16 vjeç ka shkuar në 14. B. Në filozofinë e futbollit të moshave. C. Në mënyrën se si organizohet stërvitja me ta.
Të pranishëm në këtë takim mjaft interesant, kanë qenë edhe Zv/Ministri i Sporteve, Rauf Dimraj, si edhe përfaqësuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj. Takimi është ndjekur nga prania e shumtë e mediave.

















