Arrigo Sacchi vlerëson kursin e FSHF-së: Përgatitësit atletik, vendimtar për suksesin! - FSHF

Arrigo Sacchi vlerëson kursin e FSHF-së: Përgatitësit atletik, vendimtar për suksesin!

Federata Shqiptare e Futbollit po zhvillon kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi është përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Gjatë javëve të fundit përmes video-mesazheve këtë iniciativë të Federatës e kanë përshëndetur dhe vlerësuar shumë emra të njohur të futbollit dhe trajningut italian. Mesazhi i radhës ka ardhur nga ish-trajneri legjendar italian, Arrigo Sacchi, i cili në karrierën e tij ka drejtuar Milanin, Parmën, Atletiko Madridin si edhe kombëtaren e Italisë, duke sjellë ide të shkëlqyera në zhvillimin e lojës së futbollit për kohën.
Duke folur posaçërisht për FSHF, Sacchi ka shpjeguar për për të gjithë të interesuarit rëndësinë e këtij kursi dhe sa vlerë ka përgatitësi atletik të mos e humbasin mundësinë për të ndjekur këtë kurs mjaft të rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për një profesion mjaft të kërkuar në botën e futbollit modern.
“Mirëdita, jam Arrigo Sacchi. Në karrierën time jam mbështetur gjithmonë në ndihmën e përgatitësve atletikë. E di se sa shumë e rëndësishme është puna e tyre për suksesin final. Këto kurse besoj se janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm dhe për të ardhmen. Ju uroj fat dhe punë sa të mbarë!”, – thotë Sacchi në mesazhin e tij.
Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033